Maqedoni
Vizita e Kotziasit në Shkup, Ramadani: rast i mirë për afrimin e qëndrimeve
21.03.2018 16:23
Vizita e shefit të Diplomacisë greke, Nikos Kotzias, në Shkup...

Vizita e shefit të Diplomacisë greke, Nikos Kotzias, në Shkup është një rast i mirë për përafrimin e qëndrimeve mes dy vendeve, vlerëson për TVM2 analisti, Ismet Ramadani. Sipas tij, edhe përskaj dinamikës pozitive të bisedimeve të zhvilluara kohës së fundit, ende ekzistojnë dallime, por Ramadani vlerëson se të njëjtat do të tejkalohen me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar.
“Mendoj se vizita e ministrit të jashtëm të Greqisë do t’i përshpejtojë bisedimet, do ketë ndoshta edhe kërkesa ose porosi të cilat për momentin nuk mund të tejkalohen, mirëpo me ndërhyrje ndërkombëtare, diplomacisë euro-amerikane, besoj se ka vend që problemi të zgjidhet”,- deklaroi analisti i politikës, Ismet Ramadani.
Duke parë që politika ruse tenton që të ketë ndikim në Ballkan, është koha më e duhur për zgjidhjen e çështjes së emrit, vlerëson Ramadani. Zgjidhja sa më e hershme e kontestit, sipas tij, nuk do të ndikonte vetëm në hapjen e rrugës euroatlantike për Maqedoninë, por edhe do të kontribuojë në shtimin e sigurisë në rajon.
“Në bazë të situatës, qoftë ajo gjeopolitike apo momentale, mendoj se duhet të jenë të vetëdijshëm edhe pala greke edhe ajo maqedonase, se duhet të gjendet një zgjidhje kompromisi për emrin, sepse për vet faktin se po vijnë porosi pothuajse kërcënuese të politikës së jashtme ruse, duhet ta vejnë në lëvizje edhe më shumë BE-në dhe ShBA-në, kuptohet edhe NATO ka involvimin e vet”,- theksoi analisti i politikës, Ismet Ramadani.
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocijas, pritet të zbresë në aeroportin e Shkupit, dhe kjo është hera e parë që një zyrtar grek të vijë në rrugë ajrore, gjë që i atribuohet ndërrimit të emrit të aeroportit nga “Aleksandri i Madh” në Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit. Kotzijas do të takohet me kryeministrin, Zoran Zaev, dhe ministrin e Jashtëm, Nikolla Dimitrov, për t’u prezantuar drejtpërdrejt draft-propozimet greke e për të dëgjuar mendimin e Shkupit zyrtar rreth tyre.
ERSAN PAJAZITI
