Dita Botërore e Sindromës “Down”, asnjë mbështetje për këtë kategori qytetarësh

21.03.2018 16:35

Personat me Sindromën “Doun” meritojnë të jetojnë pa diskriminim në bazë të kufizimeve....

Personat me Sindromën “Doun” meritojnë të jetojnë pa diskriminim në bazë të kufizimeve, por atyre nuk u ofrohet asnjë mundësi. Në Ditën Botërore të Sindromës “Down” dolën në dukje fakte shqetësuese. Personave me këtë sindromë nuk u ofrohen shërbime mjekësore e psikologjike, nuk u mundësohet qasje në sistemin arsimor dhe kjo duhet ndryshuar urgjentisht. Këtë vit, solidarizimi në ditën e Sindromës “Down” mban emrin “Edhe unë dua të jem balerinë”.

“Ata nuk janë persona me nevoja të veçanta, ata janë thjeshtë të ndryshëm, por kur i njohim nga afër nuk e vërejmë më këtë ndryshim. Këta fëmijë mund të bëjnë atë që bëjmë ne. Kjo do të ndodhte në qoftë se ata do të ishin të përfshirë në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë. Ata mund të arrijnë gjithçka, por sistemi duhet tua hapë dyert në mënyrë që ata ta arrijnë këtë”,- deklaroi aktivistja për mbrojtjen e personave me Sindromën “Down”, Iskra Veterova.

“Maqedonia është shumë prapa në ofrimin e shërbimeve dhe mundësive për personat me “Sindromën Down”. Në vendet tjera të botës kjo kategori përfundojnë studimet universitare, kanë punë të rregullt, jeta e tyre funksionon normalisht  dhe  e pavarur nga të tjerët.  Te ne ekziston nevojë e madhe për zgjidhje sistemore, pasi ende nuk ka të dhëna për numrin e njerëzve me Sindromën “Down” në vendin tonë”,- u shpreh kryetarja dhe themeluesja e Qendrës për Sindromën “Down”, Ida Manton.

Prindërit e këtyre fëmijëve bëjnë thirrje që të hapen shkolla ku do të këtë logopedë që do të punojnë me këta fëmijë, kur ata të kenë nevojë. Projekti "Edhe unë mund të jem balerinë" është implementuar dhe financuar nga BE dhe UNICEF.

Fëmijët e vegjël panë sot shfaqe baleti me dëshirën ndoshta që një ditë për ta të hapen dyert e skenave të mëdha. (Farije Dauti- Bakiju, TVM2)