Maqedoni
PPS me tre raste të reja, “Regjistrimi”, “i Pushtetshmi” dhe “Aktori”
21.03.2018 17:01
Prokuroria Publike Speciale hap edhe tre raste të reja...

“Regjistrimi”, “I pushtetshmi” dhe “Aktor” janë tre rastet në të cilat të dyshuar kryesorë janë ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ish-ministri i Transportit, Mile Janakievski, dhe deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
Specialja deklaroi se ka dyshime të bazuara se fajtorë për dështimin e regjistrimit janë dy liderët e partive të koalicionit qeverisës gjatë kësaj periudhe, përkatësisht lideri i VMRO-DPMNE-së dhe ai i BDI-së. Sipas Fetait, Gruevski dhe Ahmeti me vendimin për të ndërprerë regjistrimin kanë dëmtuar buxhetin e shtetit mbi 175 milionë denarë.
“Ekziston dyshim i bazuar se, me qëllim që, si koalicion qeverisës, të fshehin faktin se nuk kanë kapacitet politik për të realizuar regjistrim real të popullsisë, amvisërive dhe banesave në RM, si dhe për të fshehur faktet jo të favorshme për demografinë dhe gjendjen ekonomike të popullsisë, që ka rezultuar me migrim të madh të popullsisë së aftë për punë, të dyshuarit gjatë datës 10.10.2011 dhe 11.10.2011 janë dakorduar që të ndërpresin regjistrimin e popullsisë, amvisërive dhe banesave në RM”,- deklaroi prokurorja speciale, Fatime Fetai.
Rasti i dytë, “I pushtetshmi”, ka në shënjestër ish-shefin e Diplomacisë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski, i cili në vitin 2011 së bashku me të atin dhe ish-kryetarin e komunës Makedonski Brod, kanë siguruar pasuri në formë të jashtëligjshme në emër të babait të Antonio Mishovskit, duke e dëmtuar pronën e Republikës së Maqedonisë në vlerë prej rreth tre milionë denarë.
Rasti i tretë, “Aktor”, ka të bëjë me furnizime publike për zgjedhjen e ofertuesit më të mirë për ndërtimin e autostradës Demir Kapi-Smokvicë. Për këtë rast ndër të akuzuarit kryesorë është ish-kryeministri Gruevski dhe ish-ministri i Transportit, Mile Janakievski. Përkatësisht, Gruevski i sugjeron Janakievskit se duhet përzgjedhur kompania greke “Aktor”, duke i mundësuar kështu që të përfitojë në formë të jashtëligjshme mbi 480 milionë denarë.
SHPËTIM NUREDINI
