Maqedoni
“Pranverë pa drejtësi” - protestë para Qeverisë, kërkohet drejtësi për Almirin
21.03.2018 17:55
Ashtu edhe siç u paralajmërua, qytetarë të shumtë protestuan para Qeverisë kundër vendim të prokurorisë për të rikualifikuar rastin e katërvjeçarit, Almir Aliut, nga “vrasje” në “aksident trafiku”...

Qytetarët kërkuan drejtësi për Almirin dhe përkujtuan Qeverinë se një fëmijë nuk arriti t’i gëzohet jetës, një vrasës u la i lirë me një vendim të thjeshtë për rikualifikim të lëndës, por mijëra fëmijë të tjerë mund të jenë Almirët e ardhshëm të rrezikuar nga Bobanët e ardhshëm. Prindërit e Almir Aliut kërkojnë drejtësi për 4-vjeçarin e tyre që nuk arriti të rritet.
“Prokurores Kusigerska i them se: unë nuk kam nevojë për keqardhjen tënde, nga ty desha vetëm drejtësi për djalin tim. Ajo më vrau për të dytën herë. Por, drejtësia do të vijë një ditë sepse vrasësi nuk do të jetojë asnjëherë i qetë”,- deklaroi nëna e Almir Aliut.
“I falënderoj të gjithë shqiptarët që morën pjesë në këtë protestë edhe ata nuk ndjehen të sigurt prej se e kanë lëshuar atë kriminel, edhe ata nesër mund të përballen me atë se çfarë më ndodhi mua. Ju falënderoj të gjithëve! Deri tash e kemi pritur drejtësinë, por drejtësia u pa, drejtësi në Maqedoni nuk ka”,- tha babai i Almir Aliut.
Protestuesit nuk e sjellin dot në jetë Almirin për prindërit e tij. Por, sollën lojërat e fëmijëve të tyre, për të kërkuar që ata të mos kenë fatin e njëjtë me 4-vjeçarin.
“Kjo është katastrofë, ne po çuditemi, nuk është mirë kjo punë. Ne po qajmë, djali më nuk është, më ai është në varr”,- u shpreh një protestues.
“Nuk e di si t’i them fëmijës tim të bëhesh një Almir që do ta vrasë një Boban dhe nuk merr përgjegjësi, apo të bëhesh një prokuror që të bësh drejtësi dhe të mbrosh një krim. Nuk e di, është thjesht një e ardhme shumë e keqe nëse nuk del në shesh drejtësia”,- theksoi një protestues.
“Ne kërkojmë të dënojnë ashtu si i dënojnë edhe shqiptarët pa faj”,- deklaroi një protestues.
“Presim drejtësia të dalë në shesh, e kërkojmë të drejtën! Nëse është fajtor, le të dënohet”,- tha një protestues.
“Pres dhe shpresoj nga zotëri Zaev, e ka për obligim moral që t’ia dalë deri në fund detyrës për të cilën e kanë votuar shqiptarët dhe nëse duam të kemi bashkëjetese, në këtë formë nuk do të ketë”,- theksoi një protestuese.
Edhe organizatorët e protestave thanë se nuk do të ndalen derisa drejtësia të vihet në vend.
“Turp është që para syve tanë vranë organet e drejtësisë dhe e rikualifikuan rastin në aksident trafiku. Jemi këtu të tregojmë se këtë nuk do ta lejojmë, drejtësi për Almirin patjetër duhet të ketë! Boban Iliq bëri vrasje. Prokuroria duhet të vendos sipas dëshmive dhe jo sipas dëshirave të njëanshme”,- deklaroi Visar Vishka nga “Drejtësi Për Almirin”.
Organizatorët e protestës paralajmëruan padi penale ndaj prokurores Kusigeska, kërkuan që procedura gjyqësore të nis nga fillimi me prokurorë të tjerë, kërkuan përgjegjësi nga mjekët ekspertë, shkarkim të gjykatëses Denkovska, prokurores publike, Teuta Abedini - Ramadani, shkarkimin e të gjithë prokurorëve publikë të Kolegjiumit të Prokurorisë Publike, shkarkim urgjent të prokurorit publik Jovevski dhe përgjegjësi nga Qeveria dhe kryeministrit Zaev, që, sipas tyre, lejuan që drejtësinë ta ndajnë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar dhe të njëanshëm të cilët e vranë përsëri Almirin.
GAZMEND KURTISHI
