Botë
Kuvendi i Kosovës, Demarkacioni pengohet me gaz lotsjellës
21.03.2018 18:32
Ligjvënësit opozitarë kanë hedhur bombola të gazit në Kuvendin e Kosovës në përpjekje për të parandaluar ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi...

Gazi lotsjellës katër herë me radhë ndërpreu punimet e Kuvendit të Kosovës në të cilën u prit të votohet ratifikimi i marrëveshjes. Kryesia e Kuvendit të Kosovës mori vendim që të përjashtojë nga vazhdimi i seancës për demarkacionin pesë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët hedhën gazin lotsjellës në katër rastet kur u tentua të votohet demarkacioni.
“Pesë deputetë janë larguar nga pjesëmarrja në vazhdimin e seancës parlamentare. Janë manipulues, janë gënjeshtarë, janë njerëz që tentojnë të dëmtojnë Kosovën”,- u shpreh kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Shefja e zyrës së BE-së, Natalia Apostollova, ka thënë se po ndihet e shokuar me veprimet e sotme në Kuvendin e Kosovës. Apostollova tha se hedhja e gazit lotsjellës është kundër principeve të BE-së dhe se këto veprime e çojnë Kosovën prapa në rrugën e saj të zhvillimit.
“Unë jam e tronditur dhe e shokuar. Veprimet e hedhjes së gazit lotsjellës në vendin më demokratik në Kuvend është me të vërtetë kundër principeve të BE-së. Kjo e sjell Kosovën prapa në rrugëtimin e saj për zhvillim”,- tha shefja e zyrës së BE-së, Natalia Apostollova.
Ambasadori i ShBA-së, Greeg Delawie, ka shprehur zhgënjimin e tij për dhunën që po përdoret për të penguar demarkacionin.
"Edhe njëherë më duhet të them se jam i zhgënjyer që një parti po e përdor dhunën për ta penguar demokracinë. Shpresoj që deputetët të kthehen dhe të votojnë. Shpresoj që edhe deputetët e Listës serbe të vijnë në Kuvend, sepse Demarkacioni është edhe për të mirën e tyre",- tha ambasadori i ShBA-së, Greeg Delawie.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka quajtur dhunën të patolerueshme. “Dhuna në Kuvend është e patolerueshme dhe pamje e tmerrshme për Kosovën në botë. I ftoj deputetët që të vazhdojnë me punën e tyre, pavarësisht taktikave të rrezikshme të kundërshtarëve të liberalizimit të vizave. Demarkacioni duhet të kalojë sot. Kjo është ajo që e presin qytetarët e vendit, pa dallim partie apo etnie”,- ka shkruar Thaçi në facebook.
GYLTENE SINANI
