Maqedoni
Rasti “Regjistrimi”, Grubi: vendimin për ndërprerje e solli Kuvendi
22.03.2018 14:55
Pas hapjes së lëndës së re “Regjistrimi” nga Prokuroria Speciale, ku të dyshuar kryesorë për ndërprerjen e regjistrimit në vitin 2011 janë ish-lideri i VMRO-DPMNE-së...

Pas hapjes së lëndës së re “Regjistrimi” nga Prokuroria Speciale, ku të dyshuar kryesorë për ndërprerjen e regjistrimit në vitin 2011 janë ish-lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, dhe ai i BDI-së, Ali Ahmeti, partnerë të koalicionit qeverisës në atë kohë, ish-anëtari i Komisionit Shtetëror të Regjistrimit, deputeti aktual i BDI-së, Artan Grubi, sqaron se regjistrimi i popullsisë në vitin 2011 u ndërpre me vendim të Kuvendit, që solli ligj të posaçëm për këtë çështje.
Propozimi erdhi nga qeveria pas problemeve të mëdha me të cilat u përballën regjistruesit në terren dhe mospërputhjes së të dhënave të komisionerëve në terren me udhëzimet e Entit për Statistikë dhe Komisioneve. Më pas, vendimin për ndërprerjen e regjistrimit të popullsisë e mori Kuvendi me votat e deputetëve të përbërjes parlamentare të asaj periudhe, sqaroi Grubi.
“Çështja e regjistrimit është goxha e ndjeshme, në veçanti për komunitetin shqiptar dhe kishte përplasje të jashtëzakonshme në atë kohë. Unë isha anëtar i Komisionit Shtetëror për Regjistrim të Popullsisë dhe isha vetë dëshmitar i përplasjeve të jashtëzakonshme dhe të përditshme të anëtarëve të KShR-së dhe të jopërputhshmërisë së punës në terren nga ana e komisionerëve me udhëzimet e komisioneve si dhe Entit Statistikor. Duke parë të gjitha këto, deputetët me propozimin e Qeverisë së RM-së e sollën vendimin për ta ndërprerë procesin e regjistrimit të popullsisë”,- deklaroi ish-anëtari i Komisionit Shtetëror të Regjistrimit, Artan Grubi.
Grubi potencon se BDI gjithnjë ka qenë e zëshme në përkrahje të vënies në vend të drejtësisë dhe transformimit të shoqërisë dhe gjithnjë ka përkrahur zbardhjen e së vërtetës në të gjitha rastet.
ERSAN PAJAZITI
