Maqedoni

MPPS: zgjidhje për problemet e personave pa dokumente personale, nga 1 prilli fillon regjistrimi

22.03.2018 15:11

Të gjithë personat që jetojnë në Maqedoni dhe nuk janë evidentuar në librat amë apo nuk posedojnë certifikatë të lindjes...

Të gjithë personat që jetojnë në Maqedoni dhe nuk janë evidentuar në librat amë apo nuk posedojnë certifikatë të lindjes, nga 1 prilli deri më 30 shtator do mund të paraqiten deri te Drejtoria për udhëheqjen e librave amë dhe të realizojnë këtë të drejtë.
 
Për momentin 550 persona kanë problem të tillë por në këtë proces pritet të përfshihen 3000 persona.
 
Sipas ministres për Punë dhe Politikë Sociale, Mila Carovska, për realizimin e këtij procesi do bëhen ndryshime ligjore dhe qendrat për punë sociale do ndihmojnë që këta persona të evidentohen dhe të parashtrojnë kërkesë.     
                                                                                     
“Në këtë mënyrë do të përcaktohet numri i saktë i personave të paevidentuar në territorin e Republikës së Maqedonisë dhe me ndryshimet ligjore ata do fitojnë të drejtën për numër të përkohshëm amë apo numër regjistrues që të mund të realizojnë të drejtat e tyre sociale shëndetësore, arsimore. Po ashtu do bëhen ndryshime edhe në ligjet në procedurën jashtë kontestimore nëse deri atëherë ofiqari nuk ka mundur të konstatojë kohën dhe vendin e lindjes”,- tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska.     
                                                                                              
Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë për udhëheqje me librat amë, Bujar Dardhishta, tha se në këtë mënyrë do mundësohet inkluzion social i personave që deri më tani nuk i kanë gëzuar këto të drejta. 
                           
“U bëj apel të gjithë qytetarëve, duke filluar nga 1 prilli deri më 30 shtator 2018, se do ketë shpallje publike për të gjithë ata që nuk janë të evidentuar në librat amë apo kanë pasur probleme të natyrave të ndryshme, do të paraqiten deri te njësitë rajonale të Drejtorisë për librat amë dhe të dorëzojnë dokumentacionin për zgjidhje të problematikave të ndryshme”,- tha drejtori i Drejtorisë për udhëheqjen e librave amë, Bujar Dardhishta.                                                              
Përkrahje për këtë proces do të japin edhe organizatat ndërkombëtare përmes aktiviteteve në terren për gjetjen e këtyre personave dhe  ofrimin e ndihmës për të dorëzuar kërkesa për regjistrim.
 
FLUTURA LATIFI