Maqedoni

Cilësia e debatit në Kuvend, Dimeski: ka rënie të cilësisë së debatit

22.03.2018 15:42

Kuvendi ka vazhduar të mbetet një forum ku oponentët politikë nuk ndryshojnë qëndrimet e tyre pavarësisht nga argumentet e paraqitura...

Kuvendi ka vazhduar të mbetet një forum ku oponentët politikë nuk ndryshojnë qëndrimet e tyre pavarësisht nga argumentet e paraqitura, duke regjistruar kështu rënie të shkallës së argumentimit në procesin e debateve.
 
Këto janë të dhënat e raportit mbi vëzhgimin e cilësisë së debatit në Kuvend në periudhën shtator - dhjetor 2017, që e ka zbatuar Instituti për Demokraci “Societas Civilis” - Shkup në kuadër të projektit “Kuvendi nën thjerrëz”.
 
“Për fat të keq, njësoj si në periudhat e kaluara të vëzhgimit, vërejmë se Parlamenti ka lëshuar mundësitë që të ngrihet në forum ku vendimet do të merren nëpërmjet debateve të argumentuara në të cilat pjesëmarrësit në debat dëgjohen dhe i paraqesin qëndrimet e tyre në bazë të argumenteve dhe koncentrohen para së gjithash në debatin mbi argumentet dhe më pak ndaj personalitetit të kundërshtarëve të tyre politik”,- deklaroi Jane Dimeski nga Instituti për Demokraci.
 
Në bazë të statistikave, debat më cilësor  është regjistruar kur ka munguar opozita, por debatet e tilla janë të njëanshme, tha Jane Dimeski, nga Instituti për Demokraci. Sipas tij, Kuvendi duhet të ketë efekt stabilizues dhe jo të përfytyrojë konfrontimin politik midis partive politike.
 
“Kuvendi nuk duhet të përfytyrojë vetëm konfrontimin politik që ndodh në shoqëri midis partive politike, ai duhet të ketë efekt stabilizues. Aty janë të zgjedhur njerëz që të vendosin mbi bazën e qëndrimeve të tyre dhe jo të paraqesin konfliktin i cili ndodh në shoqëri, por nëpërmjet qëndrimeve të argumentuara të përpiqen, t’i tejkalojnë ato dallime dhe të veprojnë në mënyrë stabilizuese ndaj shoqërisë më të gjerë”,- tha Jane Dimeski nga Instituti Për Demokraci.
 
Në periudhën shtator - dhjetor 2017 janë vëzhguar shtatë seanca plenare dhe nëntë komisione, me ç’rast janë përcjellë gjithsej 1,469 diskutime.
 
Projekti është i financuar nga Agjencia Zvicerane për Mbështetje dhe Zhvillim. Ai përfshin një monitorim 28-mujor të cilësisë së debatit parlamentar dhe monitorimin se si raportojnë mediat për punën e Parlamentit.
 
NAIM RAMADANI