Maqedoni

Rikualifikimi i lëndës për Almirin, BDI me iniciativë parlamentare për rastin. Alispahiq: Kërkojmë vetëm të zbardhet e vërteta

22.03.2018 16:01

Grupi parlamentar i BDI-së do të iniciojë ngritjen e një komisioni parlamentar, me qëllim të zbardhjes së të vërtetës për procesin gjyqësor të rastit të Almir Aliut....

Grupi parlamentar i BDI-së do të iniciojë ngritjen e një komisioni parlamentar, me qëllim të zbardhjes së të vërtetës për procesin gjyqësor të rastit të Almir Aliut. Me këtë iniciativë, BDI ka për qëllim të hap debat gjithëpërfshirës dhe të thërrasë për të dëshmuar në Kuvend kryeprokurorin,  dëshmitarët okularë, avokatët dhe familjarët. Deputetët e BDI-së janë takuar me familjarët e Almirit dhe avokatët e tyre për t’ua sqaruar këtë iniciativë. 
 
“Nëpërmjet komisionit anketues ose grupit punues në Kuvend, ne do të mund ta thërrasin edhe kryeprokurorin edhe prokurorët tjerë në bisedë ose intervistë publike këtu në Kuvend, në mënyrë që i gjithë opinioni të shohë të gjitha faktet që kanë të bëjnë me këtë rast, përfshirë edhe dëshmitarët, familjarët dhe të akuzuarit, dhe në këtë mënyrë besojmë që pa ndonjë përplasje të madhe politike partiake do ta ndihmojmë në zbardhjen e rastit.Shpresojmë shumë se gjatë procedurës do të shihet edhe qëndrimi i kryeprokurorit, por edhe prokurorëve tjerë të cilët kanë marrë vendimet paraprake”,- deklaroi deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
 
Familjarët dhe avokati i familjes Aliu presin që kjo iniciativë të ndihmojë për zbardhjen e shkeljeve të shumta që janë bërë gjatë gjykimit e më pas rikualifikimit të lëndës për vrasjen e  4-vjeçarit.
 
“Vlerësoj se kjo është mënyra e vetme për të prevenuar dhe zbardhur këtë dhe shumë raste të tjera gjyqësore. Unë shpresoj shumë se me formimin e grupit punues ose komisionit anketues do të zhvillohet një debat e gjithëpërfshirës, me qëllim zbardhjen e së vërtetës të dilemave dhe hapave të palejueshëm institucionale që janë marrë për këtë rast”,- tha avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiq.
 
Grubi sqaroi se vendimi i prokurorisë për rikualifikimin e lëndës rreth vrasjes së Almir Aliut është marrë para se të vijë Jovevski në krye të kryeprokurorisë dhe nga ai pret që të tregojë ndjeshmëri për këtë rast. Deputetët e BDI-së kërkojnë mbështetje nga të gjitha partitë politike, por thonë se distancohen nga të gjitha përpjekjet për t’i dhënë këtij rasti kahje etnike apo që i njëjti të përdoret për përfitime politike. 
 
REXHEP QAMILI