Maqedoni
Kazerma e Tetovës, plagosen dy ushtarë gjatë stërvitjeve
22.03.2018 16:30
Dy ushtarë janë plagosur në kazermën e Tetovës si pasojë e pakujdesisë nga ana e ushtarëve gjatë stërvitjeve....

Rasti i plagosjes ka ndodhur rreth orës 10. Ushtarët e plagosur menjëherë janë dërguar në Spitalin klinik të Tetovës, ku u është dhënë ndihma e parë, por për shkak të lëndimeve serioze që kanë marrë, ata janë transferuar në Klinikën traumatologjisë në Shkup. Mjeku, i cili i ka pranuar dy ushtarët e plagosur, thotë se ata kanë marrë lëndime serioze, por janë jashtë rrezikut për jetën.
“Në spitalin tonë u sollën dy të lënduar më armë zjarri, në gjendje të shokuar dhe urgjentisht u bë trajtimi i tyre, mirëpo për shkak të kompleksitetit të frakturave që kishin në regjionin nën gjurit dhe mbi gjurit, ishim të detyruar t’i transportojmë në Klinikën e Shkupit të traumatologjisë. Gjendja e tyre është stabile”,- deklaroi mjeku, Fatmir Ismaili.
Me kumtesë është paraqitur edhe Shtatmadhoria e Armatës, e cila sqaron se dy ushtarët janë plagosur nga pakujdesia duke pastruar një pushkë - mitraloz. “
Po merren masa për ndriçim të plotë të rastit”,- thuhet në kumtesë. Ushtarët e plagosur gjatë stërvitjeve të zakonshme që ndodhin çdo ditë në Kazermën e Tetovës, janë Mirosllav Jovanovski - i lindur në vitin 1991, nga fshati Saraçinë, dhe Veli Shabani - i lindur në vitin 1981 nga Shkupi.
VISAR SADIKI
