Botë

BE: Pas ratifikimit të Demarkacionit, kusht për vizat luftimi i korrupsionit

22.03.2018 17:17

Pas miratimit të Demarkacionit, Kosovës i mbetet të përmbush edhe një kriter për liberalizimin e vizave...

Pas miratimit të Demarkacionit, Kosovës i mbetet të përmbush edhe një kriter për liberalizimin e vizave, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, kanë bërë të ditur zyrtarët në Bruksel. Por, autoritetet në Kosovë zotohen se institucionet e sistemit të drejtësisë do të punojnë në luftimin e korrupsionit për ta plotësuar këtë kusht. 
          
“Ajo çka mundet të bëj Qeveria është që mos të involvohet në korrupsion dhe kjo ndikon menjëherë te kualiteti edhe i politikëbërjes, por ndikon edhe te gjyqësori. Ne po punojmë për rend dhe ligj jo vetëm për liberalizimin e vizave, por, besoni, po e bëjmë për qytetarët. Nesër do të ketë një takim të lartë me zyrtarët e drejtësisë të cilët do të raportojnë. Shpresoj shumë që në BE nuk do ta bëjnë një lëshim, mos me i dhënë vëmendje kësaj teme, pra liberalizimit të vizave”,- deklaroi kryeministri, Ramush Haradinaj. 
 
Ministrja kosovare e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, vlerëson se pasi Kosova ka përmbushur kriterin kryesor, ratifikimin e demarkacionit, edhe kriteri i mbetur, luftimi i korrupsionit dhe krimi i organizuar, kanë shënuar progres dhe është optimiste se qytetarët do të lëvizin pa viza në vitin 2018.
 
“Kosova në 2012 ka pranuar udhërrëfyesin me 95 kritere, më tepër kritere se vendet e tjera. Nga ajo kohë, institucionet e Kosovës kemi arritur plotësimin e kritereve dhe t’i çojmë në dy kritere të mbetura”,- theksoi ministrja e Integrimeve Europiane e Kosovës, Dhurata Hoxha.
 
Sa i përket korrupsionit, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, thotë se Kosova ka bërë progres në katër muajt e fundit, prandaj edhe ai u shpreh i bindur se do të arrihet efikasitet në plotësimin e kriterit të mbetur për liberalizimin e vizave. 
 
“Javën e ardhëshme do të procedoj në qeverinë e republikës së Kosovës Kodin Penal i cili është një dokumnet thelbësorë për punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve nël luftën e krimit të organizuar dhe korrupcionit dhe ky kod penal parasheh ashpërsim të masave”,- tha Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri. 
                                                
Ndërsa Kryeprokurori Aleksandër Lumezi, ka bërë të ditur se gjithsej janë identifikuar 39 raste të korrupsionit, ku prej tyre 30 janë në gjykata ndërsa në 16 raste janë duke u zhvilluar procedurë gjyqësore.
 
GYLTENE SINANI