Maqedoni

Koxias, në Shkup fillon diskutimi i pr/marrëveshjeve

22.03.2018 17:41

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kocias, që sonte fillon vizitën dyditore në Maqedoni....

Kocias dhe delegacioni grek do të zbresin në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit, ndërsa vizitën do ta fillojnë me një takim joformal me nikoqirin, ministrin, Nikolla Dimitrov. Vizitat zyrtare me kreun e shtetit dhe përfaqësuesit politikë do t’i zhvillojë ditën e premte. 
 
Sipas paralajmërimeve, dy palët pritet që të prezantojnë dhe diskutojnë projekt-marrëveshjet që kanë hartuar veç e veç, si hap parapërgatitor për takimin e përbashkët me ndërmjetësuesin, Metju Nimic.
 
Zyrtarisht nuk janë publikuar detaje nga projekt-marrëveshjet e hartuara nga Shkupi dhe Athina. Ajo që dihet është se projekt marrëveshjet nuk përmbajnë emër konkret. Të paktën kështu deklaroi kryeministri, Zoran Zaev, dy ditë më parë. Ai sqaroi se varianti maqedonas përmban disa aspekte teknike apo formulime se si do të duhej të duket marrëveshja, mbështetur në formulimet e disa marrëveshjeve ndërkombëtare. 
 
“Formulimet në pjesën e emrit, përdorimi, gjerësia, çështjet identitare dhe kodet ende janë në tryezën e bisedimeve, prandaj këto fusha janë lënë të zbrazëta si në pr/marrëveshjen tonë ashtu edhe në atë të palës greke”,- deklaroi Zaev.
 
Ndërkaq, zëdhënësi i qeverisë greke, Dimitris Xanakopulos, sqaroi se projekt marrëveshja përmban pozitat themelore të palës greke në bisedime, përkatësisht nevoja për të gjetur zgjidhje të pranueshme për të dyja palët me emër të përbërë për përdorim të përgjithshëm, që kërkon edhe ndryshimin e kushtetutës.
 
Takimi Koxias – Dimitrov i paraprin takimit të përbashkët me ndërmjetësuesin, Metju Nimic, që do të mbahet më 30 mars, në Vjenë të Austrisë. 
 
Vizita e sotme e shefit të Diplomacisë greke nuk është mirëpritur nga një grup i vogël qytetarësh, të cilët u mblodhën në shesh për t’i dhënë mesazhin se nuk është i mirëseardhur.  
 
SHPËTIM NUREDINI