Maqedoni
Policia financiare, padi penale kundër Pasko Kuzmanit
22.03.2018 18:01
Policia Financiare ka ngritur kallëzim penal kundër ish-drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Pasko Kuzman, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare....

Kallëzim penal ka edhe për një person përgjegjës në kompaninë kroate “Konstruktor Inzhenering” me seli në Tetovë dhe po ashtu edhe ky person dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Dyshohet se Pasko Kuzman, në vitin 2010, ka lidhur marrëveshje për restaurimin e Universitetit të Shën Klimentit në Pllaoshnik të Ohrit me kompaninë “Kroate Konstruktor”, por edhe pse ka pasur garanci bankare për ofertën, Pasko Kuzman nuk ka lidhur garanci bankare për zhvillimin kualitativ të punimeve.
Po ashtu është zbuluar se personi përgjegjës në kompani ka paraqitur dokumentacion të rrejshëm se kinse ka kryer punimet dhe për këtë shërbim ka kërkuar mbi 300 mijë euro. Po ashtu, Kuzman, edhe pse e ka ditur se kompania nuk i ka zhvilluar punimet, e ka bërë pagesën prej 300 mijë eurosh.
Kuzman ka pasur mundësi që ta aktivizojë garancinë bankare në qoftë se nuk ka qenë i kënaqur nga kualiteti i punimeve, dhe ka pasur mundësi që shtetit t’i ktheheshin 240 mijë euro, por Kuzman nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe e ka dëmtuar buxhetin e shtetit për gjysmë milion euro.
