Maqedoni
VMRO-DPMNE: Xhaferi nuk mund të nënshkruajë për Ivanovin. LSDM: VMRO, me dyfytyrësi rreth Ligjit të gjuhëve
22.03.2018 18:07
VMRO-DPMNE ka paralajmëruar kryeparlamentarin se nëse Ligji për gjuhët do të shpallet në Gazetën Zyrtare pa nënshkrimin e presidentit Ivanov...

VMRO-DPMNE ka paralajmëruar kryeparlamentarin se nëse Ligji për gjuhët do të shpallet në Gazetën Zyrtare pa nënshkrimin e presidentit Ivanov, do të pasojnë padi penale për kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferin, dhe drejtorin e Gazetës Zyrtare.
Sipas Orce Georgievskit nga VMRO-DPMNE, “Talat Xhaferi edhe nëse e nënshkruan ligjin në vend të presidentit, ajo nuk do të jetë e ligjshme, pasi që ai nuk mund ta zëvendësojë presidentin Ivanov, i cili denjësisht e kryen funksionin e tij presidencial. Për këtë arsye, drejtori i Gazetës Zyrtare nuk mund të lejojë të shpallet ky ligj. Kushtetuta duhet të respektohet. Pa nënshkrimin e dekretit nga ana e presidentit nuk ka ligj, ndërsa nëse dikush tenton që ta shkelë Kushtetutën, do të mbajë përgjegjësi penale”.
Por, nga LSDM-ja janë kundërpërgjigjur se VMRO-DPMNE e kishte pranuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve kur bisedohej për formimin e shumicës pas zgjedhjeve parlamentare të 2016-s.
“VMRO-DPMNE-ja me dyfytyrësi merr qëndrime rreth Ligjit për gjuhët, të cilin njëherë e ka pranuar. Askush nuk është mbi Kushtetutën. Ivanov është i obliguar që ta nënshkruajë dekretin. Ligji për përdorimin e gjuhëve është i bazuar në Kushtetutën dhe Amendamentin e pestë, i miratuar në vitin 2001, dhe bën avancimin e të gjitha gjuhëve të bashkësive pakicë”,- thanë nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë.
Njëherit, LSDM-ja i bëri thirrje presidentit Ivanov që ta nënshkruajë dekretin e Ligjit, që është përpiluar në suaza të Kushtetutës dhe që avancon të gjithë gjuhet e komuniteteve pakicë në vend.
