Botë
Rikthehet terrori në Francë, dy viktima nga sulmi në supermarket, vritet agresori
23.03.2018 14:08
Ajo që fillimisht u duk të ishte një grabitje në një supermarket në Francë...

Ajo që fillimisht u duk të ishte një grabitje në një supermarket në Francë, rezultoi në një sulm të armatosur nga një person i cili thërriti “Zoti është i madh” në gjuhën arabe e më pas tha se po hakmerrej për luftën në Siri. Tre persona mbetën të vdekur, mes tyre edhe pengmarrësi që u vra nga policia.
“Ju po bombardoni Sirinë dhe tani duhet të vdisni”, mësohet të ketë thënë agresori, duke nxjerrë më pas pistoletën me të cilën qëlloi 5 herë dhe shkaktoi vdekjen e dy personave.
Ai mori peng edhe 10 klientë që më pas u liruan nga policia. I dyshuari kërkoi gjithashtu edhe lirimin e Salah Abdeslam, i dyshuari kryesor për sulmet e Parisit në 13 nëntor 2015, kur u vranë 130 persona.
Sipas dëshmive, atentatori kishte me vete edhe granata. 15 minuta para pengmarrjes, autori kishte plagosur edhe një polic në një qytezë pranë Trebës. Sipas policisë, agresori ishte një 30-vjeçar me origjinë marokene, por i lindur në Francë. Kryeministri, Eduar Filip, e konsideroi ngjarjen si një akt terrorist të mirëfilltë.
Prej janarit 2015 me sulmin ndaj redaksisë së revistës satirike “Sharli Hebdo”, Franca ka qenë arenë e një serie sulmesh terroriste të “Shtetit Islamik” që i kanë marrë jetën qindra të pafajshmëve.
