Maqedoni

Deskovska: gjimnazi matematiko-informatik, në 2019-n

23.03.2018 14:42

Njohja e matematikës dhe shkencave natyrore është bazë për ndërtimin e mendimit logjik dhe kuptimit edhe të shkencave të tjera...

Por, numri i studentëve që zgjedhin të regjistrohen në drejtimin matematikor po zvogëlohet gjithnjë e më tepër.
 
Nuk po ndihmojnë as bursat për të tërhequr studentët. Ligji për krijimin e një gjimnazi matematiko-informatik këtë muaj do të jetë në procedurë parlamentare dhe ka si qëllim të tërheq nxënësit t’i përkushtohen këtyre drejtimeve.
 
Në të do të ketë programe të avancuara për matematikë, fizikë dhe informatikë e do të shërbejë edhe si qendër për nxënësit e talentuar që mësojnë në shkollat e tjera fillore dhe të mesme. Ministrja Deskovska shpreson që gjimnazi të hapet në vitin 2019. 
 
“Afati për hapjen e gjimnazit nuk është përcaktuar në ligj, por është potencuar se i njëjti do të hapej sapo të krijohen kushtet, me vendim qeverie. Kemi dy opsione. Gjimnazi matematiko-informatik të vendoset në një nga objektet ekzistuese të arsimit të mesëm, ose të ndërtohet objekt tërësisht i ri, me hapësira dhe laboratorë sipas standardeve botërore. Unë angazhohem për opsionin  e dytë, sepse në të kaluarën kemi parë se kur një institucion vendoset qoftë edhe provizorisht në një hapësirë të caktuar, shumë vështirë shkon realizimi i kërkesave të tjera. Nuk planifikojmë që gjimnazi të fillojë këtë shtator, por kemi shpresë për vitin që vjen”,- deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskovska.
 
Këtë deklaratë ministrja Deskovska e dha në Konferencën Ndërkombëtare për drejtimin e shkencave matematiko – natyrore, që u mbajt në Fakultetin e Shkencave Matematiko - Natyrore në Shkup.