Ekonomi
Barazia gjinore në tregun e punës, BB: 60% e femrave deri në 24 vjeç, të papunësuara
23.03.2018 15:41
Në Maqedoni nuk shfrytëzohet mjaftueshëm kapaciteti i gjinisë femërore në tregun e punës....

Hulumtimet tregojnë se vetëm 45% e femrave deri në moshën 24 vjeç punësohen ose trajnohen. Madje, 65% nuk kryejnë asnjë aktivitet pune edhe pse kanë shkollim dhe kualifikim adekuat. Gratë e kanë më të vështirë të gjejnë punë dhe puna e tyre nuk vlerësohet njësoj si meshkujt edhe kur janë më të kualifikuara se meshkujt.
“Në përgjithësi gratë nuk kanë pronë dhe nuk kanë se si të fillojnë biznesin e tyre. Në pikëpamje të normave sociale, ende ekzistojnë perceptime se gratë nuk janë të afta, popullata mendon se burrat janë liderë më të mirë dhe afaristë më të suksesshëm”,- tha ekspertja e BB-së, Ana-Marija Bunjoz.
Sipas analizave të Bankës Botërore, pjesëmarrja e ulët e grave në tregun e punës shkakton humbje prej rreth 15% në Bruto Prodhimin Vendor.
“E dimë që rritja më e shpejtë ekonomike dhe standardet më të mira varen prej mundësive më të mëdha të punës për të gjithë. Nëse gruaja nuk është e kyçur në tregun e punës, atëherë nuk shfrytëzohet potenciali i gruas në zhvillimin ekonomik”,- theksoi drejtori i Zyrës së BB-së në Shkup, Marko Montovanelli.
Nga BB vlerësojnë se nëse rritet punësimi i grave dhe shfrytëzohet kapaciteti i tyre, atëherë kjo do të ketë ndikim edhe në rritjen e BPV-së. Por, fillimisht duhen rrënuar mendësitë se gratë nuk janë po aq të afta sa burrat për të punuar.
ERSAN PAJAZITI
