Dialogu Kosovë - Serbi, Thaçi dhe Vuçiçi takohen në Bruksel
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në vazhdën e dialogun në nivelin e lartë mes Kosovës dhe Serbisë...

Në strategjinë e re të zgjerimit, Komisioni Europian ia përsëriti Kosovës dhe Serbisë domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve. Një marrëveshje e tillë është parashikuar të arrihet gjatë vitit 2019.
Por, teksa në Bruksel bëhen përpjekje përafrimi, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka thënë se Serbia nuk do ta njohë ekzistencën e një shtetit tjetër brenda territorit të saj dhe e ka cilësuar Kosovën si projekt të dështuar. Ajo ka shprehur bindjen se konflikti shqiptaro-serb nuk mund të zgjidhet duke mbështetur njërën palë në gjithçka që thotë dhe pastaj të ketë pritshmëri se pala tjetër do të përkulet dhe do të pranojë çdo zgjidhje të detyruar.
Presidenti Thaçi është takuar paraprakisht me eurokomisionerin Hahn, të cilit i kumtoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave për qytetarët e saj. Por, Hahn përkujtoi presidentin e Kosovës se liberalizimi ishte vetëm njëri nga kriteret, e tani mbetet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Presidenti Thaçi ka konfirmuar vazhdimin e përpjekjeve në luftimin e krimit të organizuar. Kjo është mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe qytetarët e saj”,- ka shkruar Hahn në Twitter. Gjithsesi, Hahn thotë se ratifikimi i Demarkacionit ishte një hap i rëndësishëm për sigurimin e lëvizjes së lirë dhe rrugës europiane të Kosovës.
