Maqedoni
Problemet mjedisore, Angjushev: Punojmë për problemet me deponitë
23.03.2018 16:48
Ndotja e mjedisit jetësor vazhdon të jetë problem për Maqedoninë....

Qeveria vlerëson se për t’u përballur me problemet mjedisore duhet guxim. Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, thotë se Maqedonia duhet të jetë në hap me teknologjitë e reja dhe inovacionet, edhe në drejtim të mbrojtjes së mjedisit.
Premtoi hapjen e katër deponive rajonale, zgjidhjen e problemit me deponitë e egra dhe sistem të organizuar për grumbullimin dhe filtrimin e ujërave të zeza, para se të rikthehen sërish në natyrë.
“Ne duhet të veprojmë me hapa më të guximshëm drejt zgjidhjes së problemeve mjedisore. Kemi rënë dakord që të kemi një qasje më të organizuar rajonale ndaj këtij problemi dhe prandaj ne do të hapim 4 deponi rajonale për grumbullimin dhe përpunimin e mbeturinave. Gjithashtu, 40 milionë eurot e planifikuara për ndërtimin e një aeroporti kagro në Shtip, për të cilin qeveria vendosi se nuk ka leverdi ekonomike, do të redestinohen për zgjidhjen e problemeve mjedisore”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
Ekspertët thonë se hapja e deponive është pjesa më e lehtë, problemi fillon me menaxhimin e mbeturinave që grumbullohen më pas në këto deponi.
“Pjesa teknike për hapjen dhe menaxhimin e deponive është pjesa më e lehtë dhe se përpjekjet do të duhet të bëhen më shumë duke zhvilluar vetëdijen e qytetarëve se duhet të ekzistojë edhe tokë e gjelbëruar. Por, duhet të dini se deponitë nuk janë zgjidhje përfundimtare për menaxhimin e mbeturinave”,- tha zëvendëspresidenti i Shoqatës Ballkanike për Mjedis, Xhaber Zanbak.
150 shkencëtarë nga 20 vende janë mbledhur në Shkup në një konferencën ndërkombëtare për të dhënë zgjidhje për problemet mjedisore. “Gredit 2018” organizohet nga Asociacioni Ballkanik për Mjedis Jetësor dhe Oda e Arkitektëve dhe inxhinierëve të Autorizuar të Maqedonisë.
GYLTENE SINANI
