Maqedoni

Kotzias: Marrëveshje të ndershme me dy palë fituese. Dimitrov: Bisedimet janë në fazën thelbësore me balancë delikate

23.03.2018 17:04

“Zgjidhje që do t’i kënaq dy palët në negociata”,- porositi ministri grek, Nikos Koxias...

“Zgjidhje që do t’i kënaq dy palët në negociata”,- porositi ministri grek, Nikos Koxias, pas takimit me homologun e tij maqedonas, Nikolla Dimitrov. Ky i fundit  tha se janë futur në çështjet thelbësore, por detyra nuk është e lehtë, pasi që bëhet fjalë për baraspeshë delikate.
 
“Detyra nuk është e lehtë, ky praktikisht është takimi i dytë i vërtetë ku biseduam për elemente thelbësore. Bëhet fjalë për punë, për baraspeshë delikate. Gjysmë dite mendoj se çfarë është më e rëndësishme për opinionin në Greqi, dhe gjysmën tjetër çka është më e rëndësishme për ne. Nëse vetëm një hap i vogël bëhet, i gjithë ekuacioni lëviz”,- deklaroi ministri i jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.
 
“Besojmë në marrëveshje të ndershme nga të cilat në të ardhmen të dy palët do të fitojnë dhe nuk do të ketë dikush që do të humbë dhe dikush të fitojë. Asnjëherë nuk mund ta fitosh atë që e ke në kokë. Duhet ta fitosh atë e cila është e rëndësishme për veten dhe ta japësh atë që është e rëndësishme për palën tjetër”,- theksoi ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias.
 
Dimitrov vlerësoi se nuk është drejtim i mirë i negociatave propozimi për emër të ngjitur me shtojcë dhe pa përkthim, teksa Koxias sqaroi kërkesat për ndryshimin e kushtetutës.
 
“Në referencën e tashme të përkohshme FYROM, ekziston emri Republika e Maqedonisë. Ai emër është i përthyeshëm në gjashtë gjuhët e OKB-së. Mendoj se këtu e kam rëndë t’i them popullit tim se nuk jemi popull me atë emër, edhe pse identiteti dallon kur thuhet Maqedoni në Greqi dhe Maqedoni në vendin tonë”,- tha  ministri i jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.
 
“Kushtetutat mbeten mbi të drejtën europiane dhe ndërkombëtare. Çështjen e kërkesës për ndryshime kushtetuese e diskutojmë. Mendoj se duhet ta sqarojmë gjithë këtë dhe të shohim në fund se ku do të përfundojmë, por këtë çështje tani nuk është e mundur ta hapim, sepse ndodhemi në mes të procesit negociues”,-  deklaroi ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Koxias.
 
Propozimet e palëve në negociata do t’i dërgohen ndërmjetësit, Metju Nimic, i cili, sipas Koxijasit, do t’i hedhë në një tekst të vetëm për t’ia dërguar Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Takimi Koxias - Dimitrov i paraprin takimit të përbashkët me ndërmjetësuesin, Metju Nimic, që do të mbahet më 30 mars, në Vjenë të Austrisë. 
 
NAIM RAMADANI