Botë

Shqipëri – vettingu, shkarkohet gjykatësi i parë në kushtetuese

23.03.2018 17:38

Në Shqipëri shënohet shkarkimi i parë nga vettingu....

Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, është shkarkuar nga detyra pasi nuk justifikonte pasurinë prej 450 mijë dollarësh kanadeze dhe disa apartamenteve.
 
“Lulo ka një depozitë financiare prej 480 mijë dollarësh në Kanada, një shtëpi në Kanada, apartament në “Rrugën e Durrësit” në kryeqytet, zyrë tek rrugën “Ismail Qemali” dhe një shumë prej 100 mijë dollarësh dhuratë të pajustifikuara”,- deklaroi kryetarja e Komisionit të pavarur të kualifikimit, Genta Bungo.
 
Por, avokati i gjyqtarit shprehet se pasuria e Lulos vjen nga burime të ligjshme dhe se do ta apelojë vendimin.
 
“E konsideruam tërësisht të paqenë gjithë fabulën mbi të cilën u dha verdikti i sotëm i përkohshëm. Është një vendim që për mua është tërësisht i padrejtë, i pambështetur në gjithë sa u relatua dhe u provua nga ana jonë para këtyre gjyqtarëve, por megjithatë ky ishte vendimi i apeluar dhe do të apelohet”,- theksoi avokati, Ardian Visha.
 
Ky është rasti i parë i shkarkimit të një gjyqtari, ndërsa pritet që të merren në pyetje edhe gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë të sistemit të drejtësisë. Shkarkimi i gjyqtarit e fut në kolaps Gjykatën Kushtetuese, pasi ajo ka mbetur me 5 gjyqtarë nga 9 që duhet të ketë, për shkak edhe të dorëheqjeve vullnetare pikërisht për shkak të vetingut. Në këtë mënyrë, dita e sotme shënoi nisjen zyrtare të procesit të vetingut në Shqipëri.
 
LULJETA NDOKA