Maqedoni
Tuberkulozi, numri i të prekurve shënon rënie
23.03.2018 17:51
7 pacientë kanë vdekur nga tuberkulozi vitin që lamë pas dhe kjo shifër është dukshëm më e ulët se ajo e vitit 2016, kur tuberkulozi u mori jetën 21 pacientëve...

Vërehet ulje edhe e numrit të fëmijëve të prekur. Për momentin në Klinikën për sëmundje të mushkërive dhe tuberkulozit trajtohen 53 pacientë.
Mosha më e prekur nga kjo sëmundje janë personat 35-44 vjeç, më shumë sëmundja prek meshkujt. Por, teksa flasim për ulje të statistikës së të sëmurëve, nga Klinika për sëmundjet e mushkërive dhe tuberkulozit alarmojnë se është ulur edhe numri i mjekëve ekspertë. Nuk ka një katedër universitare që do të përgatiste mjekët e ardhshëm e kjo mund të çojë që pas disa vitesh askush nga mjekët e rinj të mos dijë se si kurohet tuberkulozi.
“Në 10-12 vitet e fundit vazhdimisht shënohet rënie e numrit të të sëmurëve nga tuberkulozi. Në vitin 2017 janë shënuar 220 raste, numër ky që është dukshëm më i vogël krahasuar me vitin 2016 ku u regjistruan 267 raste me tuberkuloz”,- deklaroi kryetarja e Shoqatës së pneumatologëve, Biljana Iliovska.
“Nëse duam ta zgjidhim problemin, atëherë patjetër të punojmë në atë drejtim, të kthehet katedra dhe edukimi aty ku përket, sepse nuk ka kush t’i trajnojë mjekët e rinj. T’ua kthejmë punën profesorëve që na edukuan ne dhe që duhet t’i edukojnë gjeneratat e reja”,- u shpreh drejtori i KSMT-së, Predrag Bozhiqkoviq.
