Maqedoni

Ivanov nuk e dekretoi Ligjin për gjuhët, Xhaferi do t’i shqyrtojë të gjitha variantet

23.03.2018 17:59

Presidenti Ivanov nuk e dekretoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve as pas miratimit të këtij ligji për herë të dytë...

Presidenti Ivanov nuk e dekretoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve  as pas miratimit të këtij ligji për herë të dytë, edhe pse Kushtetuta e detyron që ta nënshkruajë. Nga Presidenca njoftuan se presidenti mbetet në qëndrimin e tij të shpallur më 14 mars, menjëherë pas miratimit të këtij ligji për herë të dytë.
 
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ia rikujton presidentin detyrimin kushtetues. Sipas tij, Ivanov është përfshirë në politikë ditore dhe jo që ka bllokuar shpalljen e Ligjit, por edhe procesin për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së tij. Megjithatë, në një intervistë për median vendore, Xhaferi thotë se do të shqyrtojë të gjitha variantet për jetësimin e ligjit por edhe funksionalitetin e Kuvendit. 
 
Profesori i së drejtës kushtetuese, Mersin Maksuti, thotë se presidenti Ivanov po shkel kushtetutën, ndërsa kushtetuta nuk sanksionon se si duhet vepruar në rast të këtillë, prandaj rekomandon ndjekjen e praktikave parlamentare të shteteve të tjera.
 
“Praktika parlamentare e kushtetutave të vendeve të ndryshme thotë se nëse presidenti nuk e nënshkruan dekretin për shpalljen e ligjit, atëherë ligji konsiderohet i shpallur dhe ai drejtpërdrejt hyn në fuqi pa firmën e presidentit. Në rastin konkret, Parlamenti duhet ta dërgojë tek organi i Gazetës Zyrtare dhe asaj nuk i mbetet tjetër pos që ta shpallë ligjin dhe ai të hyjë në fuqi. As ligji për Gazetën Zyrtare nuk parasheh norma kufizuese, që në rastin konkret mund ta bllokojë mosshpalljen dhe hyrjen në fuqi të ligjit”,- deklaroi profesori i së drejtës kushtetuese, Mersim Maksuti.
 
Sipas Maksutit, me vetë aktin që Ligjin e ka nënshkruar kryetari i Kuvendit, ai mund të shkojë drejtpërdrejt te organi i Gazetës Zyrtare për t’u shpallur dhe të hyjë në fuqi duke ndjekur procedurën e rregullt të hyrjes në fuqi të një akti juridik.
 
Neni 79 i kushtetutës thotë: Presidenti i Republikës të drejtat dhe detyrat e veta i ushtron në bazë dhe në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve. Neni 75 i Kushtetutës e detyron presidentin Ivanov që të dekretojë çdo ligj që miratohet me dy të tretat e votave dhe ligjet që rivotohen me shumicë absolute pasi t’i ketë rikthyer njëherë në rishqyrtim. 
 
SHPËTIM NUREDINI