Maqedoni
Burgu i Idrizovës, kaplohet nga zjarri
21.07.2014 17:19
Punëtoria e zdrukthëtarisë në burgun në Idrizovës, sot në mëngjes është kapluar nga një zjarr që ka shpërthyer rreth orës 4...

Punëtoria e zdrukthëtarisë në burgun në Idrizovës, sot në mëngjes është kapluar nga një zjarr që ka shpërthyer rreth orës 4.
Nga ky institucion njoftojnë se nuk ka të lënduar, ndërsa shkaqet për shpërthimin e zjarrit akoma nuk dihen, por dyshohet që instalimi i vjetër elektronik të jetë fajtori kryesor për këtë zjarr. Pritet që pjesëtarët e MPB-së, gjegjësisht krim-teknika, gjatë ekspertizës të zbardhin shkaqet e shpërthimit të zjarrit.
“Bëhet fjalë për një objekt të vjetër të zdrukthëtarisë, ku kanë mbetur shumë pak makina pune, rreth 3 të burgosur punojnë aty nga e hëna e deri të premten. Gjatë vikendit nuk punojnë dhe në momentin e shpërthimit të zjarrit në objekt s’ka qenë askush”, deklaroi drejtori i burgut të Idrizovës, Zhivko Pejkovski.
Akoma nuk dihet se sa dëme materiale ka shkaktuar zjarri.
Në shuarjen e zjarrit, Njësiti Zjarrfikës ka intervenuar me 7 automjete zjarrfikëse dhe 20 zjarrfikës, ndërsa situata është venë nën kontroll për 30 minuta.
Objekti i kapluar nga zjarri në mëngjesin e sotëm, ka qenë i vjetër rreth 60 vite dhe aty kanë punuar dhe kanë marrë zanat të gjithë ata të burgosur të cilët kanë pasur interes për zdrukthëtari.
Sipas drejtorit të burgut të Idrizovës, Zhivko Pejkovski, për momentin në këtë burg ka 1520 të burgosur.
SANIJE KASAMI
