Maqedoni
Kotzias në Shkup, takime me aktorët kryesorë të politikës
23.03.2018 18:37
Pas takimit me shefin e Diplomacisë greke, Nikos Kocias, kryeministri, Zoran Zaev...

Pas takimit me shefin e Diplomacisë greke, Nikos Kocias, kryeministri, Zoran Zaev, ka theksuar se është koha për vendime lidershipi dhe kompromis dhe se vizita përkon me momentin pozitiv kur pritet t’i jepet fund kontestit shumëvjeçar. Zaev ka theksuar vendosmërinë për të bërë hapa që do të na çojnë më afër zgjidhjes së çështjes së vetme të hapur midis dy vendeve tona.
“Jam i bindur se kjo qasje do të shpie në zgjidhje që do t’iu japë argumente të mjaftueshme institucioneve të të dyja vendeve, ashtu edhe opozitës, të pranojnë se kjo do të jetë e dinjitetshme edhe për Republikën e Maqedonisë edhe për Republikën e Greqisë”,- thuhet në njoftimin e kabinetit të kryeministrit pas takimit.
Shefi i Diplomacisë greke është takuar edhe me kreun e parlamentit edhe me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin. Ky i fundit ka theksuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit të vendeve të Ballkanit dhe ka potencuar se vendi i Maqedonisë është në NATO dhe BE.
“Ndamë mendim se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë interesa të përbashkëta e duhet të jetojnë në fqinjësi të mirë e bashkërisht të jemi pjesë e Europës dhe të integruar. Ne qëndrimet tona i kemi bërë publike, ne nuk pajtohemi që kompromisi të përmbajë emrin “Sllavo Maqedoni” apo “Republikë kombëtare nacionale maqedonase”, por do pajtohemi me çdo kompromis që do arrihet mes palëve, sepse ne jemi pala që duam zgjidhje, jo ajo palë që duam të krijojmë probleme. Ne na intereson e ardhmja e shtetit tonë”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Kotsiaz është takuar edhe me kryetarin e opozitës maqedonase, Hristian Mickovskin.
Edhe zëvendëskryeministri Osmani në takimin me Kotziasin ka përshëndetur progresin aktual në komunikimin dypalësh, që, sipas tij, çon në rritjen e besimit mes dy vendeve. Theks të veçantë i vuri edhe bashkëpunimit në pjesën e shfrytëzimit të mjeteve të IPA-s në projektet e bashkëpunimit ndërkufitar, si dhe bashkëpunim në kuadër të tuining projektit dhe instrumentit TAEKS.
GAZMEND KURTISHI
