Katalonjë, protesta pas burgosjes së liderëve separatistë

24.03.2018 20:02

Përplasje mes policisë dhe protestuesve të shumtë në Katalonjë.....

Përplasje mes policisë dhe protestuesve të shumtë në Katalonjë, pasi Gjykata Supreme përshkallëzoi veprimet ligjore kundër liderëve separatist.

Gjykata Supreme spanjolle vendosi se 25 udhëheqësit katalanas duhej të dilnin përpara gjyqit për rebelim, përvetësim apo mosbindje ndaj shtetit. Dënimi i tyre eventual do të thoshte se ata mund të kalojnë deri në 30 vite në burg.

Më shumë se 20 persona u plagosën teksa policia përdori shkopinjtë e gomës për t’i mbajtur protestuesit sa më larg ndërtesave shtetërore në Barcelonë, gjatë mesnatës së të premtes e së shtunës. Demonstratat, gjithsesi, u shtrinë edhe në pjesë të tjera të Katalonjës.

Në Madrid, një gjyqtar i Gjykatës Supreme urdhëroi prangosjen e 5 udhëheqësve të tjerë katalanas pa pasur mundësinë e lirimit me kusht, në pritje të gjykimit të tyre për përfshirjen në referendumin e jashtëligjshëm të muajit tetor mbi Pavarësinë e rajonit tejet të pasur verilindor.

Njëri prej atyre që u nxorrën para gjyqit ishte Jordi Turull, i cili pritej të ishte subjekt votimi në Parlamentin katalanas këtë të shtunë për presidentin rajonal.

Disa figura të tjera të larta mes separatistëve dolën para gjyqit, ose kanë mundur të largohen nga vendi duke jetuar në ekzil. Paralelisht me protestën e dhunshme, një miting më i qetë ndodhi në sheshin kryesor qendror të Katalonjës.

Një prej pjesëmarrëseve atje, Carme Sala tha se ishin mbi dy milionë njerëz që donin të shkëputeshin prej Spanjës, “ndaj ata s’mund të na fusin të gjithëve në burg”. Televizionet katalanase shfaqën pamje nga mitingje të tjera në mbështetje të udhëheqësve të burgosur në qytete të ndryshme të rajonit, përfshi qytetet Vic dhe Tarragona.