Botë

OKB, bën thirrje për ndërprerjen e luftës në Gaza

21.07.2014 17:28

Me bilancin e fundit të vdekjeve në radhët e palestinezëve që kapërcen 500 jetë të humbura në dy javë konflikti me Izraelin...

Me bilancin e fundit të vdekjeve në radhët e palestinezëve që kapërcen 500 jetë të humbura në dy javë konflikti me Izraelin, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm mes Shtetit hebrej dhe militantëve të Hamas-it.
 
Apeli i tij vjen në kohën kur shefi i Diplomacisë Amerikane, Xhon Kerry, udhëton drejt Kajros, për të diskutuar mbi krizën dhe rrugëdaljet e mundshme prej saj. Shumica dërmuese prej palestinezëve të vrarë, që prej fillimit të ofensivës izraelite janë civil, ndërsa Izraeli shënoi 20 viktima, 18 prej të cilëve janë ushtarë. 
 
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit, të dielën mbrëma u bë me kërkesë të Jordanisë, e cila ka propozuar një draft rezolute për situatën, ku sipas BBI-sis, fjalët e ashpra nuk mungojnë. 
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, e përshkroi si një veprim makabër operacionin e Izraelit në Shexhaia, ku u vranë 60 palestinez njëherazi dhe kërkoi pushimin e menjëhershëm të sulmeve.
 
“Shpreh ngushëllimet e mia familjeve të viktimave, me vjen keq  ofensiva tokësore e Izraelit ka filluar pavarësisht ngulimit tim dhe shume udhëheqësve të tjerë botërorë, ata filluan ofensivën, kërkoj që Izraeli të përmbahet , kërkoj që Izraeli të bëjë më shumë për të shmangur viktimat civil në konfliktin mes Hamasit dhe Izraelit. 24 orët e fundit, ka pasur një numër incidentesh që përfshijnë vdekjen e civilëve, duke përfshirë vrasjen e tmerrshme të katër fëmijëve në një plazh në qytetin e Gazës. Nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake të këtij konflikti”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun.
 
Presidenti palestinez, Mahmut Abaz, i cilësoi bombardimet në Shexhaia një masakër të mirëfilltë dhe kërkoi bisedime urgjente për atë që konsideron një situatë të patolerueshme në Gaza. 
Sa për sulmet e Shtetit hebre, për Abaz ato përbëjnë krime kundër njerëzimit. 
 
Sipas OKB-së, deri më tani gati 84 mijë vetë janë shpërngulur nga Gaza, e numri i atyre që po përpiqen t’i shpëtojnë kësaj vale të dhunës duke braktisur shtëpitë e tyre, sa vjen e rritet.
 
HAMIDE IBRAHIMI