Tevdovski, paga mesatare ka shënuar 5.6% rritje

25.03.2018 17:28

Në krahasim me janarin e vitit të kaluar paga mesatare ka shënuar ritje për 1,275 denarë ose 5.6 përqind....

Në krahasim me janarin e vitit të kaluar paga mesatare ka shënuar ritje për 1,275 denarë ose 5.6 përqind, deklaroi ministri i Financave Dragan Tevdovski.

Kjo përbën rritjen më të lartë vjetore në paga që nga viti 2010 dhe për herë të parë tejkalon 24,025 denarë.

“Në industrinë e lëkurve ka një rritje të pagës mesatare prej 2,171 denarë ose 19 përqind, krahasuar me janarin 2017. Në prodhimin e veshjeve, rritja e pagës mesatare është 2.069 denarë ose 16 përqind. Në industrinë e tekstilit pagat rriten për 24 për qind, ose 3,870 denarë” – tha ministri i Financave, Dragan Tevdovski.

Ai vuri në dukje se ka lëvizje pozitive ekonomike dhe shifrat tregojnë se ekonomia maqedonase është duke ecur në një drejtim të mirë.

“Rritja e BPV-së në gjysmën e parë dhe të dytë të vitit 2017 është si dita me natën. Nga minus 0.7 në pjesën e parë, kundrejt plus 0.7 përqind në gjysmën e dytë. Papunësia ra në 21.9 për qind, ndërsa punësimi u rrit për 14 mijë persona ose 2 për qind” – u shpreh ministri i Financave, Dragan Tevdovski.

Investimet e huaja direkte neto në tremujorin e katërt arritën në 177 milionë euro dhe në muajin janar kemi një rritje vjetore prej 8.4 përqind deklaroi Tevdovski. (Naim Ramadani, TVM2)