Maqedoni
Besimi: IPA fondet për reforma në gjyqësor
21.07.2014 17:36
Pjesa më e madhe e fondeve evropiane IPA 2014-2020, do të shfrytëzohen për reformat në Gjyqësor...

Pjesa më e madhe e fondeve evropiane IPA 2014-2020, do të shfrytëzohen për reformat në Gjyqësor, që paraqet një nga kërkesat kryesore të Brukselit, por edhe nevojë emergjente për të rikthyer besimin e qytetarëve në institucione, posaçërisht pas rastit të ashtuquajtur “Monstra”.
“Reformat që kanë të bëjnë me rritjen e pavarësisë së Gjyqësorit, rritjen e efikasitetit dhe procedurat e tjera të cilat do të rrisin besueshmërinë në institucionit e vendit, gjegjësisht në Gjyqësorin”- deklaroi zëvendësministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi.
Ndërkaq, PDSH akuzon BDI-në për dështimin e proceseve euro-integruese dhe margjinalizimin e shqiptarëve.
Deputetja, Merale Ferati, pyeti BDI-në pse gjatë nismës për ndryshime kushtetuese hoqi dorë nga premtimet elektorale.
“Shqiptarët, por edhe forcat progresive pro-evropiane, besoni që nuk arritën ta kuptojnë pse BDI u dashka të heq dorë nga gjuha shqipe për proceset integruese. Sipas BDI-së, shkaku i bllokimit me vite i proceseve integruese në NATO dhe BE, na qenka zyrtarizimi i gjuhës shqipe, si dhe kërkesat e tjera të shqiptarëve”- u shpreh deputetja e PDSH-së, Merale Ferati.
Problemeve që po kthejnë pas vendin në procesin euro-integrues, po u shtohen edhe tendosjet ndëretnike dhe mungesa e dialogut politik, përkatësisht bojkoti i opozitës maqedonase. Mirëpo VMRO, fajin për këtë të fundit ia mvesh LSDM-së.
Ndryshe, Komisioni për Çështje Evropiane shqyrtoi raportin për aktivitetet e realizuara nga programi nacional për miratimin e së drejtës së Unionit Evropian, revizioni për kuartalin e parë.
SHPËTIM NUREDINI
