Botë

Zjarri në qendrën tregtare në Rusi, shkon në 60 numri i viktimave, mes tyre 41 fëmijë

26.03.2018 16:00

Është rritur në 60 numri zyrtar i viktimave nga zjarri që kaploi mbrëmë një qendër tregtare në Kemerovë të Rusisë...

Shumica e viktimave, 41 prej të cilëve janë fëmijë, gjendeshin në sallat e kinemasë në momentet e shpërthimit të zjarrit. 16 persona ende konsiderohen të zhdukur. Pamjet tregojnë njerëzit që kërcenin nga dritaret për t’u shpëtuar flakëve.
 
Shkaku i zjarrit ende nuk është bërë i ditur dhe autoritetet kanë nisur hetimet. Rreth 660 ekipe të shërbimit të emergjencave dhe zjarrfikës ishin në vendngjarje për të bërë të mundur shuarjen e flakëve për më shumë se 17 orë dhe nxjerrjen e personave që ishin të pranishëm në qendrën tregtare. Edhe mëngjesin e sotëm nga qendra tregtare dilnin shtëllunga tymi.