Maqedoni

Të akuzuarit para gjyqit, shprehen të pafajshëm

21.07.2014 17:39

Ka filluar gjykimi për 8 të arrestuarit gjatë protestave të katër korrikut në Shkup...

Ka filluar gjykimi për 8 të arrestuarit gjatë protestave të katër korrikut në Shkup. Ata ngarkohen për veprën penale “pjesëmarrje në turmë, që shkakton vepër penale” nga neni 385 i Kodit Penal.
 
Tetë të akuzuarit sot para trupit gjykues kategorikisht mohuan të kenë marrë pjesë në turmën e cila shkaktoi lëndimin e 20 pjesëtarëve të Shërbimeve Policore  dhe dëmin material në Gjykatat Themelore 1 dhe 2  në Shkup. 
 
Avokatët mbrojtës të të akuzuarve dhanë edhe vërejtjet e tyre ndaj aktakuzës, që sipas tyre, nuk është e plotë dhe nuk përmban dëshmi që këta të akuzuar kanë qenë pjesëmarrës në turmë. Ata thonë se të akuzuarit janë arrestuar në stacione të autobusëve, disa në kafenetë pranë qendrës tregtare “Mavrovasja”.  
 
“Provat, të cilat i prezanton Prokuroria, janë dy fotografi të bëra pranë Gjykatës 1 dhe 2, të cilat pretendojnë se bëhet fjalë për personin Fadil Zekirov. Ne si mbrojtje, mendojmë se nuk bëhet fjalë për të njëjtin person, pikërisht për shkak se fotografitë që janë bërë gjatë datës katër qershor dhe ajo e datës 5 qershor, kur i njëjti është paraqitur në stacion me ftesën e Policisë, gjatë shqyrtimit të fotografisë së tij, mund të shihet se nuk bëhet fjalë për personin e njëjtë”, deklaroi avokati mbrojtës, Skender Memeti.
 
“I akuzuari që unë mbroj, mendoj se nuk ka dëshmi të mjaftueshme me të cilat do të tregohet se me të vërtetë ka thyer dritare të Gjykatës Themelore 1 dhe 2, shihet që protestojnë, por ato fotografi janë bërë që në fillim të protestës nga “Jaja Pasha” deri në “Bit Pazar” kur ajo ishte e qetë, aty kishte një numër të madh të protestuesve, ndërsa këta të akuzuar mendoj se nuk janë kryerës të kësaj vepre”, theksoi avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.
 
Sipas ekspertizës së realizuar, dëmi material i shkaktuar ndaj objekteve të Gjykatës 1 dhe 2, është rreth 28 mijë euro, gjegjësisht një dritare e Gjykatës Themelore 2 në Shkup është vlerësuar se kushton mbi 400 euro. 
 
Gjykimi për të arrestuarit në protestat e datës katër korrik, do të vazhdojë gjatë ditës së nesërme, me prova të Prokurorisë dhe palës mbrojtëse. Për këtë vepër penale, parashihet dënim me burg prej 3 muaj deri në 3 vjet.
 
FLORIJE KAMBERI