Maqedoni

Ohër, rritet niveli i ujit në liqen, ELEM ndjek situatën. Reshjet e shiut, rritet për 34% furnizimi me energji elektrike

26.03.2018 16:53

Niveli i ujit në liqenin e Ohrit është ngritur sot 24 centimetra mbi nivelin e lejuar, tregojnë matësit e ELEM-it.

Kjo kuotë është vetëm për 4 centimetra më poshtë se pika kritike. Rritja e nivelit të ujit po ndiqet me frikë nga banorët, marrë parasysh përmbytjet e shkaktuara një javë më parë, që shkaktuan dëme të mëdha materiale, sidomos për hotelierët dhe pronarët e lokaleve që gjenden buzë liqenit.
 
Situata po ndiqet me kujdes edhe për shkak të paralajmërimeve për vazhdimin e reshjeve të shiut gjatë këtyre ditëve. Nga ELEM thonë se po i bëjnë analizat e plota në lidhje me hapjen e digës së lumit Drin në mënyrë që mos t’u shkaktojnë dëme as pjesës shqiptare, e cila veç më është e përmbytur nga vërshimet. 
 
“Normalisht, po bëhen optimizime në pjesën e lëshimit të ujit të Ohrit me qëllim që mos t’i sjellim dëme as qytetarëve të Ohrit dhe Strugës, por as qytetarëve të cilët jetojnë në vendbanimet ku kalon lumi Drin. Nëse eventualisht hapet diga e lumit Drin në nivel maksimal prej 70 metra kub në sekondë, atëherë priten dëme në vendbanimet ku kalon lumi Drin. Ne si ShA ELEM nuk duam të lejojmë të ndodh një gjë e tillë”,- deklaroi drejtori i ShA ELEM, Dragan Minovski.
 
Por, reshjet e shiut, krahas përmbytjeve, duket se kanë sjellë edhe gjëra pozitive, edhe atë në furnizimin me energji elektrike. Nga ELEM thonë se prodhimi i energjisë elektrike në hidrocentralet është rritur për 34% nga prodhimi i planifikuar i energjisë elektrike, falë shiut dhe borës në tre muajt e parë të vitit. 
 
“Prodhimi i energjisë elektrike nga 1 janari deri më 21 mars të vitit 2018 është 356.818 megavat për orë. Kjo është 134 për qind nga e planifikuara për këtë vit, apo 34% më shumë se sa kemi parashikuar, që do të thotë se kemi rritje të prodhimit të energjisë, falë të reshurave. Vitin e kaluar në këtë periudhë kemi prodhuar 268.766 megavat për orë”,- u shpreh drejtori i ShA ELEM-it, Dragan Minovski.
 
ShA "Termocentralet e Maqedonisë" ndërkohë shpalli tender për të blerë makineri ndihmëse për REK “Bitolla”. Angazhimi i mekanizimit ndihmës të jashtëm gjatë gërmimit është një nga shpenzimet kryesore të ShA ELEM-it, sepse për atë shërbim ELEM vazhdimisht paguan kompanitë e huaja, andaj me blerjen e makinerisë do t’i jepen fund harxhimeve, sqaruan nga kjo kompani.
 
ERSAN PAJAZITI