Sh. F. “Liria” shënon 95 vjetorin e themelimit, rikujtohet themeluesi Azem Marana
Shkolla Fillore “Liria” shënoi 95 vjetorin e themelimit të saj....

Shkolla Fillore “Liria” shënoi 95 vjetorin e themelimit të saj duke rikujtuar misionin e pishtarëve të arsimit që dhanë kontribut të madh në edukimin dhe arsimimin e popullit shqiptar.
Me këtë rast u rikujtua puna e themeluesit dhe mësuesit të saj të parë, Azem Marana, i cili mbrojti denjësisht themelimin e kësaj shkolle dhe u ekzekutua nga pushteti i atëhershëm.
Drejtori, Talat Sadiku, vlerëson se heroizmi i tij duhet të jetë motiv për brezat e rinj, t’i përkushtohen sa më shumë mësimit dhe nxënies së njohurive.
“Duke nderuar personin Azem Marana, ne japim kontribut jo vetëm për punën e tyre, por edhe t’u tregojmë gjeneratave të reja se ata duhet të respektojnë, të punojnë dhe të japin kontributin e tyre në shkollat e formuara në gjuhën shqipe”,- deklaroi drejtori i Sh. F. “Liria”, Talat Sadiku.
Ndërkohë, kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, rikujton kontributin e çmuar të Azem Maranës dhe flijimin e tij për arsimimin në gjuhën shqipe.
“Qofshin të përjetshëm themeluesit e Shkollës Fillore “Liria” dhe të gjithë nga shkollat tona, qoftë i përjetshëm Azem Marana dhe shokët e tij që dhanë jetën për arsimin tonë kombëtar”,- theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Manifestimi u shoqërua me program të begatshëm kulturor artistik dhe me nderimin e përmendores së këtij veprimtari nga komuna e Çairit dhe arsimdashës të shumtë. (Flutura Latifi, TVM2)
