Zgjerimi i koalicionit qeverisës, Zaev: Na presin vendime të rëndësishme
Kryeministri, Zoran Zaev, pretendon të rrisë shumicën parlamentare në 70 deputetë....

Kryeministri, Zoran Zaev, pretendon të rrisë shumicën parlamentare në 70 deputetë, gjë që do të imponojë edhe rikonstruim të qeverisë.
Zgjerimi i shumicës parlamentare ka për qëllim përforcimin e saj në prag të vendimeve të rëndësishme që duhet të marr; vendi. Përkundër spekulimeve, kryeministri Zaev tha se ende nuk ka filluar bisedime me asnjë nga partitë politike, madje as konsultime me partnerin e koalicionit, BDI-në.
“Nuk kam dakorduar takim me z. Ahmeti”,- tha Zaev, duke hedhur poshtë spekulimet për këmbim resorësh.
“Për rekonstruimin, nëse ekziston ambient, do të dëgjojmë nga partitë politike dhe individë të cilët deri tani kanë deputetë në opozitë. Do të bisedojmë me të gjithë ata. Hapi i dytë do të jetë se cilët resorë do të mund të ndërrohen. Nuk kam filluar bisedimet. Proceset i drejtoj në formë transparente. Opinioni do të njoftohet edhe për detajet. Sapo të kemi diçka për të ndarë me opinionin, do ta bëjmë”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Sipas Zaevit, vendin e presin vendime të mëdha, si në zbatimin e reformave, por edhe zgjidhja e problemin me Greqinë. Veç këtyre, pritet të merren edhe vendime serioze në planin ekonomik.
Në BDI, ende nuk komentohet ideja e kryeministrit Zaev për zgjerim të koalicionit qeverisës. Nisma mund të diskutohet në vazhdimin e tretë të kryesisë qendrore të BDI-së, të caktuar për ditën e premte, ku kryesisht raportojnë ministrat e saj. Edhe pse, jozyrtarisht mësohet se brenda kryesisë ka zëra kundër.
Nisma për zgjerim të koalicionit qeverisës nuk ka të bëjë me marrëdhëniet mes LSDM-së dhe BDI-së. Zaev hodhi poshtë mundësinë që ngritja e procesit kundër kreut të BDI-së për dështimin e regjistrimit në vitin 2011 mund të ketë luhatur ekzekutivin.
“Procesi i ngritur nga PPS nuk ka të bëjë me marrëdhëniet në ekzekutiv”, – theksoi Zaev. Sipas tij, drejtësia po ndjek rastet kundër të gjithëve, përfshi edhe vetë kryeministrin Zaev. A inkurajoi organet e përndjekjes që të vazhdojnë hetimet kundër shkelësve të ligjit nga ana e pushtetit ekzekutiv.
Edhe partitë e tjera në opozitë mohojnë të kenë filluar bisedimet për përfshirje në qeveri. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
