Transparenca e institucioneve, Popovski: Të hapur ndaj mediave dhe opinionit; Gazetarët: Ka lëvizje pozitive, por edhe rezistencë
Qeveria tërësisht i përkushtohet transparencës dhe hapjes ndaj opinionit dhe mediave....

Qeveria tërësisht i përkushtohet transparencës dhe hapjes ndaj opinionit dhe mediave. Transparenca dhe hapja do të thotë qeverisje e përgjegjshme, deklaroi ministri pa resor, Robert Popovski, në debatin me temë “Sfida të Qeverisë dhe institucionet në rritje të transparencës para mediave dhe qytetarëve”, që u organizua nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë. Por, sipas tij, transparenca arrihet me administratë dhe funksionarë transparentë.
“E pezulluam reklamimin qeveritar, i hapëm seancat e Qeverisë. Rendi i ditës publikohet rregullisht. Zëdhënësi qeveritar çdo të mërkurë mban konferencë shtypi, nga e cila bëhet transmetim i drejtpërdrejt dhe ai u përgjigjet të gjitha pyetjeve. U kthyen debatet publike në opinion, këtë e bënë mediat, në të cilat marrin pjesë funksionarë. Publikisht shfaqen të gjitha procedurat e tenderëve dhe marrëveshjet e firmosura, ndërsa tendenca është që të gjithë institucionet të kenë ueb faqe të unifikuar”,- u shpreh ministri pa resor, i obliguar për komunikime, llogaridhënie dhe transparencë, Robert Popovski.
Por, ShGM dhe gazetarët hulumtues ankohen se edhe përkundër angazhimit pozitiv, vazhdon praktika e stërzgjatjes së përgjigjeve nga ana e institucioneve tek të cilat gazetarët kërkojnë informacione.
“Jo të gjitha institucionet janë transparente. Ka institucione të cilat nuk komunikojnë dhe nëse e vendosin ta bëjnë një gjë të tillë, është shumë e papërshtatshme dhe ngjan shumë me ministrat e mëparshëm që i kishim në kohën e Gruevskit. Kemi ministra të cilët acarohen kur pyesim pyetje të komplikuara apo kërkojnë që të mos ua publikojmë deklaratat”,- tha gazetarja hulumtuese, Sashka Cvetkovska.
“Përderisa nuk ka përgjegjësi politike, por edhe sanksione ndaj atyre funksionarëve të cilët nuk i japin informatat që u janë kërkuar nga gazetarët dhe priten nga ana e opinionit, nuk mund të konsiderohet se do të ketë demokraci serioze”,- theksoi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
Ministri Popovski thotë se ndonjëherë mosdhënia e informacioneve vjen nga fakti se administratorët nuk e kanë pasur shprehi të japin llogari, por edhe nga mosdija, gjithsesi premton që kjo do të ndryshojë.
Popovski si shembull të transparencës përmendi debatet publike për Ligjin për qasje deri në informata me karakter publik, si dhe për Ligjin për shërbime audio dhe audio-vizuale mediale për të cilin nesër do të ketë debat, si dhe informacionet e hapura për harxhimet mujore të anëtarëve të qeverisë. (Gyltene Sinani, TVM2)
