Revitalizimi i Produksionit Muzikor në RTM
Me iniciativë të disa artistëve muzikorë të paraqitur dhe të pranuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë....

Me iniciativë të disa artistëve muzikorë të paraqitur dhe të pranuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë, Ministria e Kulturës organizoi debatin e parë publik për rifillimin dhe revitalizimin e Produksionit Muzikor në Radio Televizionin e Maqedonisë.
Profesori i universitetit, Zivijin Glishiq, foli për rëndësinë e RTM-së në aspektin e produksionit muzikor në të kaluarën, si dhe aspektet e propozimit të tyre për riaktivizimin dhe organizimin e Produksionit Muzikor të RTM-së, i cili, ndër të tjera, nënkupton restaurimin e orkestrave që ekzistonin më herët.
Sipas tij, Maqedonia ka standardet më të ulëta në lidhje me prezantimin e muzikës. Muzikantët e rinj punojnë në studio private, me iniciativën e autorëve të cilët, sipas Glishiç, e bëjnë këtë kryesisht në një mënyrë amatore.
“Produksioni muzikor ka rënë në një nivel shumë të ulët. Disi figuron, por nuk është në gjendje të prodhojë atë që është e nevojshme për të përmbushur kriteret - jo vetëm në muzikën popullore dhe tradicionale. Kemi humbur kontaktin me punën krijuese në fushën e xhazit, muzikës serioze, këngëve për fëmijë. Të gjitha këto elemente janë shumë të rëndësishme për kulturën në vend dhe kulturën muzikore në përgjithësi”,- deklaroi profesori i universitetit, Zivojin Glisiç.
Ndërkohë, ministri i Kulturës, Robert Alagjozovski, beson se kjo iniciativë do të rrisë cilësinë e kompozimeve dhe se revitalizimi do të rezultojë në zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e prodhimit të brendshëm muzikor dhe promovimin më të mirë ndërkombëtar.
“Ajo të cilën besoj se të gjithë e dëshirojmë është rritja e cilësisë së kompozimeve, zhvillimin e produksioneve vendore dhe promovimin e muzikës vendore. Do të ketë hapësirë dhe procedura transparente për krijimin e veprave të reja muzikore, si dhe prezantimin e artistëve dhe ansambleve tona më të shquara. Ministria e Kulturës e mbështet këtë iniciativë dhe do ta udhëheq këtë proces për shkak se kjo e prek në thelb kulturën tonë, trashëgiminë dhe krijimtarinë, e cila mbi të gjitha është nën kompetenca të Ministrisë së Kulturës”,- tha ministri i Kulturës, Robert Alagjozovski.
Modeli i deritanishëm në RTVM për financimin e këngëve përmes Ligjit për mbështetjen e produksioneve muzikore vendase ka treguar shumë gabime dhe është abuzuar, dhe në vend që të rritet, produksioni është dobësuar shumë.
“Ne duam një muzikë cilësore, e cila çmon traditën tonë muzikore, por edhe format e reja të muzikës bashkëkohore”,- tha Allagjozovski. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
