Botë

Natë e qetë në Mitrovicë

27.03.2018 12:28

Pas ngjarjeve dhe zhvillimeve të ditës së djeshme rreth arrestimit të të ashtuquajturit drejtor për Kosovën pranë qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq...

Pas ngjarjeve dhe zhvillimeve të ditës së djeshme rreth arrestimit të të ashtuquajturit drejtor për Kosovën pranë qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, gjatë natës në të dyja anët e qytetit të Mitrovicës ka mbretëruar gjendje e qetë. Nata ka kaluar pa ndonjë ekses në këtë qytet, ndërsa afër urës kryesore mbi Ibër kanë qëndruar autoblinda me pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë. Qytetarë nga veriu i vendit kanë njoftuar se në fshatin Rudare të komunës së Zveçanit, përkatësisht tek kryqi, gjatë natës serbët kanë bllokuar magjistralen Mitrovicë - Jarinjë, duke vendosur kamionë dhe automjete të ngjashme transportuese. 
 
Ndërkohë, arrestimi dhe dëbimi i shefit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Beogradit, Marko Gjuriç, duket se nuk do të kalojë pa zhurmë në arenën ndërkombëtare. Menjëherë pas publikimit të lajmit si dhe pamjeve të arrestimit të Gjuriç nga policia e Kosovës, mediat serbe e kanë cilësuar si një provokim të rëndë, ndërkohë që presidenti Vuçiç ka mbledhur Këshillin e Sigurisë. 
Por, sipas Agjencisë serbe të lajmeve, B92, Vuçiç ka telefonuar më herët presidentin rus, Vladimir Putin, e pasi ka biseduar me të ka telefonuar edhe shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherinin. 
 
Ndërkohë që presidenti i Kosovës raportohet të ketë bërë thirrje për qetësi, ndërsa ka theksuar se ky rast nuk mund të cenojë dialogun e ngritur mes dy vendeve. Gjithashtu Thaçi ka theksuar se autoritetet e Kosovës kanë vepruar konform çdo rregulli.