Maqedoni

Këshilli Gjyqësor, Nikollovska: KGJ me transparencë formale

27.03.2018 15:32

Transparenca, llogaridhënia dhe efektiviteti i Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë nuk janë në nivelin e kënaqshëm...

Këto janë të dhënat nga monitorimi i këtij institucioni të lartë gjyqësor që ka zbatuar Instituti për të Drejtat e Njeriut. Këshilli Gjyqësor gjatë kryerjes së kompetencave të tij më shumë ka mbajtur llogari për transparencë formale se sa thelbësore, thonë zbatuesit e projektit.
 
“Konkluzë e përgjithshme është se transparenca është më shumë formale se sa përmbajtësore. Për këtë arsye një pjesë e konkluzioneve i dedikohet nevojës që të sigurohet një transparencë thelbësore nga njëra anë dhe efektivitet thelbësor gjatë punës nga ana tjetër”,- deklaroi Margarita Caca Nikollovska nga Instituti për të Drejtat e Njeriut.
 
“Në periudhën e kaluar Këshilli Gjyqësor nuk ishte në nivelin që pritej nga opinioni në Maqedoni dhe qytetarët, ndërsa kjo ishte edhe arsyeja për humbjen e besimit të këtij organi të lartë gjyqësor i cili duhet që ta sigurojë dhe garantojë pavarësinë e pushtetit gjyqësor”,- tha ish - gjykatësja, Vera Koco.
 
Por, kreu i Këshillit Gjyqësor mendon ndryshe. 
 
“Unë me këtë nuk pajtohem. Duhet bërë analiza komparative që të shihet se cili Këshill Gjyqësor në Europë është më transparent dhe atëherë do të flasim se në cilin vend ndodhet KGJ e Maqedonisë. Nga analizat komparative, të cilat personalisht i kam bërë, ndodhemi lart me vend”,- u shpreh kryetari i Këshillit Gjyqësor, Zoran Karaxhovski.
 
Partnerët e Maqedonisë duan të shohin sukses sa u përket reformave në drejtësi, tha ambasadori Mbretërisë së Bashkuar, Çarls Garet. Sipas tij, për sundim të fuqishëm të drejtësisë nevojitet institucionet të vendosin qëllime të larta.
 
“Reformat gjyqësore janë prioriteti kryesor i qeverisë së tashme. Të gjithë ne e dimë se kjo nuk do të jetë e lehtë, megjithatë Mbretëria e Bashkuar si dhe të gjithë partnerët e afërt të Maqedonisë duan që të keni sukses në këtë drejtim dhe nuk ka moment më të mirë se tani për të lëvizur përpara”,- theksoi ambasadori i Britanisë së Madhe, Çarls Garet.
 
Në raport, veç vërejtjeve të tjera, thuhet se është i nevojshëm një vlerësim transparent në përzgjedhjen e gjyqtarëve, pasi që kriteret e përzgjedhjes janë të paqarta. 
 
NAIM RAMADANI