Botë
Rakiq: Lista Serbe braktisë Qeverinë e Kosovës. Do të formojë njëanshëm asociacionin; Haradinaj: Policia e Kosovës dje ka zbatuar thjesht ligjin. Paralajmërimi për asociacionin i ngutshëm
27.03.2018 16:43
Pas arrestimit dhe dëbimit nga Kosova të drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq...

Pas arrestimit dhe dëbimit nga Kosova të drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, Lista Serbe ka marrë vendim të mos jetë më pjesë e qeverisë Haradinaj.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, këtë e njoftoi nga Beogradi pas një takimi me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me ç’rast tha se Lista Serbe del nga qeveria, siç e quajti ai, e institucioneve të përkohshme.
“Lista Sërpska del nga qeveria e institucioneve të përkohshme dhe nuk do ta ketë përkrahjen e listës serbe. E dimë se ata do të bashkohen sepse kur janë në pyetje interesat e tyre, e sidomos kur janë të drejtuar kundër serbëve, ata bashkohen lehtë, por do të bashkohemi edhe ne dhe nuk do të na frikësojnë. Mbetemi atje me familjet tona, do të mbrojmë shtëpitë tona dhe kurrfarë policie Rosa, as bashkësia ndërkombëtare e as policia e EUOLEKSIT, pasi dje ishin së bashku me ta edhe policia e ELULEKSIT, nuk do të na frikësojnë dhe largojnë nga ato troje”,- tha Goran Rakiq nga Lista Serbe.
Njëherësh, Lista Serbe, sipas Rakiq, ka vendosur që gjatë muajit prill të themelojë në mënyrë të njëanshme Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Nesër në Mitrovicë do të mbajmë mbledhjen me këshillat e të gjitha 10 komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe nesër do të japim propozim në 5 vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit. Bashkësia e komunave serbe duhej patjetër, edhe nga institucionet e përkohshme të Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare, të ishte përfunduar”,- theksoi Goran Rakiq nga Lista Serbe.
Për këtë hap, ai tha se Lista Serbe ka marrë edhe mbështetjen e presidentin serb.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se veprimi i djeshëm i Policisë në veri të Kosovës nuk ishte çështje e demonstrimit të forcës, por çështje e zbatimit të ligjit. Por, Haradinaj është i bindur se qeveria e tij do të mbijetojë edhe pa Listën Serbe.
“Veprimi i djeshëm nuk ka qenë kundër qytetarëve serbë, por as kundër Listës Serbe. Ishte një procedurë standard për të cilën është e pakuptimtë dalja prej qeverie. Dorëheqje nuk e kam në plan të jap, ata që shkojnë hyjnë e dalin është punë e tyre”,- theksoi kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.
Haradinaj e ka quajtur qëndrim të ngutshëm paralajmërimin për formimin e njëanshëm të Asociacionit të komunave serbe.
“Mendoj se është një paralajmërim i ngutshëm i tyre, i ngutshëm dhe i dëmshëm, nuk bën ashtu. Ne e pamë dje kur nuk ka komunikim mes vete deri ku mund të shkojnë zhvillimet. Nuk mundet të testohet në pakufi durimi i askujt. Mirë është t’iu kthehemi tavolinës me i end temat së bashku, të njëanshëm nuk bën, nuk është në dobi të askujt”,- theksoi kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.
Haradinaj, njëherit ka sqarua se zyrtari serb, Gjuriq, ishte paralajmëruar nëpërmjet kanaleve diplomatike se kishte ndalesë për të vizituar Kosovën dhe nuk duhet të vinte, por ai nuk i ka marrë parasysh paralajmërimet, prandaj policia e Kosovës ishte e detyruar të zbatonte ligjin dhe ta dëbonte atë nga Kosova.
Ndërsa Gjuriq është paraqitur me duar të lidhura para mediave ku ka thënë se është arrestuar nga separatistët shqiptarë me përkrahje edhe të bashkësisë ndërkombëtare, që e mbështesin pavarësinë e njëanshme të Kosovës.
GYLTENE SINANI
