Maqedoni
Lika: po bisedohet për zgjerimin e koalicionit qeveritar
27.03.2018 17:18
Qeveria dhe partnerët e koalicionit aktualisht po bëjnë analiza lidhur me përfshirjen e partive tjera opozitare në qeveri...

Qeveria dhe partnerët e koalicionit aktualisht po bëjnë analiza lidhur me përfshirjen e partive tjera opozitare në qeveri, informoi zëvendëskryeministri, Hazbi Lika.
Ai thotë se pjesë e qeverisë mund të jenë të gjitha partitë të cilat kanë pajtueshmëri në programin qeveritar, ndërsa nuk përjashtoi edhe shkëmbime të posteve ministrore ndërmjet partnerëve të koalicionit.
Por, Lika tha se kjo nuk korrespondon me dorëheqjen e Bilen Salijit nga posti i ministrit të Drejtësisë, pasi shumë shpejt do të propozohet një emër tjetër nga BDI për këtë dikaster.
“Jemi në bisedime e sipër për të bërë zgjerim, për të parë njëherë a është e nevojshme zgjerimi i koalicionit, varësisht prej platformave që kanë partitë tjera, që për momentin janë opozitare, përveç VMRO-së. Bisedimet zhvillohen dhe pastaj do të plotësohen edhe vendet që janë të zbrazura nëpër ministri, mirëpo kjo nuk do të thotë se do të ngelet për këtë çështje edhe Ministria e Drejtësisë, ne do të përpiqemi që sa më shpejtë të ofrojmë një kuadër tjetër për të plotësuar këtë vend”,- deklaroi zëvendëskryeministri për MO, Hazbi Lika.
Lidhur me harxhimet e ministrave shqiptarë, Lika tha se shpenzimet janë bërë nga ana e gjithë administratës të punësuar nëpër ministritë, e jo vetëm të ministrit.
Zëvendëskryeministri Lika njëherit bëri të ditur se është bërë një plan konkret për sistematizimin e 1600 administratorëve shqiptarë.
ERSAN PARAZITI
