Maqedoni

Vërejte të shumta për pr/ligjin për media, Selmani: Shtoni mjetet financiare për RTVM-në, Ibrahimi përfaqësuesve të qeverisë: “Zgjidhni qesen” për Servisin e Dytë Publik

27.03.2018 18:01

“Shtoni mjetet financiare të RTVM-së nëse dëshironi reforma rrënjësore të medieve”...

Kështu u shpreh kryetari i ShGM-së, Naser Selmani, në debatin e parë në Kuvend për propozim ligjin për shërbime mediatike audio dhe audio-vizuele.
 
Selmani u apelon deputetëve të bëjnë kujdes dhe të shtojnë mjetet për RTVM-në, e në veçanti për Servisin e Dytë Publik, i cili shumë shpejt duhet filluar me transmetimin 24 orë në gjuhën shqipe.
 
“Ligjin ju e keni në dorë dhe nëse me të vërtetë dëshironi që programi në gjuhën shqipe të jetë 24 orë, ju lutem pa përkatësi etnike shtoni fondet për RTVM-në, pa fonte të mjaftueshme, ju garantoj se jo vetëm që nuk do të bëhet televizioni në 24 orë në gjuhën shqipe, ashtu siç nuk u bë në 2 vitet e fundi, ashtu nuk do të bëhet as radio, as programi satelitor në gjuhën shqipe. Ju lutem angazhohuni për të shtuar fondet e RTVM-së!”,- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
 
Zëvendësdrejtori i RTVM-së, Harun Ibrahimi, thotë se buxheti prej 0.7%, i parashikuar për këtë vit, është i pamjaftueshëm për t’i realizuar të gjitha obligimet që dalin me fillimin e kanalit të ri në gjuhën shqipe, por shpreson në zemërgjerësinë e qeverisë për mjete shtesë.
 
“Unë shpresoj se qeveria do ta shfrytëzojë nenin 5 që ka të bëjë me financimin e Servisit Publik, në të cilin thuhet se qeveria në rast të nevojës së zhvillimit teknologjik dhe programor të Servisit Publik mund të ndajë mjete shtesë dhe unë shpresoj se përveç mjeteve financiare të cilat janë paraparë dhe nuk janë të mjaftueshme, shpresoj se qeveria do ta shfrytëzojë këtë nen të ligjit që të mund të funksionojë Servisi Publike në kuadër të RTVM-së normalisht”,- tha zëvendësdrejtori i RTVM-së, Harun Ibrahimi.
 
“Mendojmë se me mënyrën graduale të financimit të Servisit Publik, ashtu siç është parashikuar në këtë propozim ligj, po lihet hapësirë që vullneti politik të jetë kyç ose të ndikojë në buxhetin përfundimtar të RTVM-së dhe për këtë arsye ne kërkojmë që mjetet financiare për Servisin Publik të jenë saktësisht të precizuara”,- theksoi kryetarja e Këshillit Programor të RTVM-së, Smilka Janevska Sarkanjac.
 
Qeveria: Bëjmë revizion në RTVM, mandej e shohim
 
Qeveria shprehet e gatshme të japë më shumë para për Servisin Publik, pasi që të dalë raporti përfundimtar i revizionit, i cili për momentin po realizohet në RTVM. 
 
“Kemi bazë për ta ndihmuar RTVM-në në pjesën e furnizimit të pajisjeve të reja të punës, teknikës dhe të tjera, por kjo të jetë në bazë të analizave të brendshme të menaxhmentit dhe të dimë se për çfarë shpenzohen paratë e qytetarëve”,- u shpreh ministri i  Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.
 
“Ekziston mundësia që të përcaktohen mjete shtesë për RTVM-në, por paraprakisht duhet të shohim se si është realiteti dhe gjendja momentale brenda në RTVM-së. Sa për informacion, për momentin është duke u realizuar revizion i gjerë i punës së  RTVM-së me mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare, për të na informuar saktë dhe me të vërtetë për gjendjen e RTVM-së”,- deklaroi ministri për transparencë, Robert Popovski. 
 
Vërejte ka pasur edhe për mënyrën e propozimit dhe përzgjedhjes së anëtarëve të këshillit të RTVM-së dhe të Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audio-vizuele.
 
Me propozim ligjin e ri parashikohet përzgjedhja e anëtarëve të Agjencisë për Shërbime Audio-vizuele të bëhet me dy të tretat e votave të deputetëve ose me konsensus politik. 
 
REXHEP QAMILI