Lika, vizitë Teatrit Shqiptar në Shkup, Karaga: Teatri, në fazën përfundimtare të renovimit

27.03.2018 19:24

Zëvendëskryeministri, Hazbi Lika, ka vizituar sot Teatrin Shqiptar në Shkup...

Zëvendëskryeministri, Hazbi Lika, ka vizituar sot Teatrin Shqiptar në Shkup, ku nga afër ka parë dinamikën e punimeve që po bëhen në këtë objekt. Me këtë rast u paralajmërua se shumë shpejtë teatri do të jetë në funksion të artistëve dhe qytetarëve, të cilët do të mund t’i shijojnë shfaqjet që do të realizohen në objektin amë të teatrit.

“Jemi në fazat gati përfundimtare. Ne po presim për momentin edhe pjesën tjetër të teknologjisë skenike, e cila është e porositur, sigurisht ka kohëzgjatjen e  vet, ajo duhet të montohet. Janë fazat ashtu siç ju patët mundësinë për të vizituar gjithë objektin. Në gjithë këtë hamulli mund të duket që gjërat janë shumë larg, sepse janë në vendosjen e tyre dhe unë shpresoj me një mbështetje të fuqishme të njerëzve që punojnë brenda saj, mirëkuptimin tuaj të gazetarëve edhe ne shpresojmë që të kthehemi në shtëpi edhe ju do të keni mundësi për të shijuar hapjen e teatrit”,- deklaroi drejtori i Teatrit Shqiptar në Shkup, Adem Karaga.

“Objekti është mjaft i madh, shumë komod, është një rikonstruim që i është përshtatur standardeve ndërkombëtare dhe ne si qeveri kemi dhënë mbështetjen tonë për aq sa jemi, duke pasur parasysh edhe kohën e shkurtë që kemi diku nëntë muaj qeverisje, por kemi bërë çmos që të përkrahim punimet në këtë projekt, duke e ditur se sa më shpejtë të marrë përfundimin e vet, aq më mirë do të jetë për qytetarët”,- tha zëvendëskryeministri për MO-në, Hazbi Lika.