Stoltenberg: NATO do të dëbojë shtatë anëtarë të misionit rus

27.03.2018 21:19

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca do të dëbojë shtatë anëtarë....

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca do të dëbojë shtatë anëtarë të stafit nga misioni i Rusisë, në përgjigje të helmimit të ish-spiunit rus në Britani.

Duke e quajtur si “ndërhyrje të pamatur në normën ndërkombëtare” sulmin me agjent nervor, Stoltenberg gjithashtu ka njoftuar se nuk e ka miratuar akreditimin e tre anëtarëve të stafit, duke e zvogëluar në 20 numrin e të punësuarve në misionin rus.

Ky vendim vjen pasi qeveritë e 22 shteteve nga e mbarë bota kanë dëbuar të paktën 116 diplomatë rusë, si kundërpërgjigje ndaj helmimit të Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia, me agjent nervor, në qytetin britanik Salisbury.

Britania ka përshëndetur dëbimin masiv të spiunëve të dyshuar rusë në mbarë botë, duke e quajtur këtë veprim si “pikë e kthesës”. Por, Moska ka akuzuar Uashingtonin se ka bërë presion “kolosal” mbi aleatët në dëbimin e diplomatëve dhe është zotuar se do të kundërpërgjigjet.