Arabia saudite: Irani po i furnizon rebelët huthi
Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite....

Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite, është duke akuzuar Iranin se po furnizon rebelët huthi me raketa balistike të cilat janë përdorur gjatë vikendit për të sulmuar Riadin.
Duke treguar mbetje, për të cilat forcat saudite kanë thënë se u përkasin raketave të përdoruara, zëdhënësi i koalicionit ka thënë në një konferencë për media në Riad se analizat forenzike kanë treguar se rebelët shiitë janë furnizuar me armë nga aleati i tyre, Irani.
“Raketat e nisura kundër territorit saudit janë siguruar nga Irani”,- ka thënë zëdhënësi, Turki al-Malki, i cili ka shtuar se raketat kanë pasur cak jo vetëm Riadin, por edhe qytetet tjera saudite, si: Najran, Jizan dhe Khamis Mushait. “Ne kemi të drejtë të përgjigjemi kundër Iranit në kohën dhe vendin e duhur”,- ka thënë Malki, duke shtuar se përgjigjja do të jetë “e duhur” në mënyrë që të mbrohet mbretëria sipas ligjit ndërkombëtar.
Edhe Pentagoni ka fajësuar Iranin për sulmet e rebelëve huthi, më 26 mars. Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se Uashingtoni do të mbështesë “të drejtën e sauditëve për të mbrojtur kufijtë e saj kundër këtyre kërcënimeve”. Pas sulmeve në vikend, Britania i ka bërë thirrje Iranit “të ndalojë dërgimin e armëve të cilat zgjasin konfliktin, rrisin tensionet rajonale dhe përbëjnë kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.
Irani nuk është përgjigjur ndaj supozimeve të tilla, mirëpo ka akuzuar Britaninë për hipokrizi, duke iu referuar furnizimit të koalicionit të udhëhequr nga sauditët me disa armë të përdorura në një fushatë bombarduese në Jemen.
Koalicioni i udhëhequr nga sauditët e mbështet qeverinë e Jemenit me fushatë bombarduese kundër rebelëve huthi, të cilët kanë pushtuar kryeqytetin e Jemenit tre vite më parë dhe vazhdojnë të kontrollojnë portin më të madh të kombit.
