Botë

Kinë, konfirmohet vizita e presidentit koreano-verior

28.03.2018 09:31

Pas disa ditësh spekulime, u konfirmua se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, e ka vizituar Kinën...

Vizita, e konfirmuar nga Kina dhe Koreja e Veriut, është udhëtimi i parë i Kimit jashtë vendit prejse ai ka marrë detyrën në vitin 2011. Kim ka pasur “bisedime të suksesshme” me liderin kinez, Xi Jingping, në Pekin, raportoi Agjencia kineze e lajmeve “Xinhua”. Kina është aleatja kryesore ekonomike e Koresë së Veriut.
 
Analistët kanë paralajmëruar se Phenjani do të konsultohet me Pekinin përpara samiteve të planifikuara me Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara. Kim pritet të takojë presidentin jug-korean, Moon Jae-in, në prill, dhe presidentin amerikan, Donald Trump, në maj. Gjatë vizitës, Kim siguroi homologun e tij kinez se ai ka vendosur të heq dorë nga armët e tij bërthamore, njoftoi “Xinhua”, por me disa kushte.
 
"Çështja e denuklearizimit të Gadishullit Korean mund të zgjidhet nëse Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara u përgjigjen përpjekjeve tona me vullnet të mirë dhe krijojnë atmosferë të paqes dhe stabilitetit",- raportohet të ketë thënë Kim.