Botë

DASh dënon ngjarjet e së hënës në Mitrovicë

28.03.2018 11:51

Departamenti Amerikan i Shtetit ka dënuar ngjarjet e së hënës në Mitrovicë, të cilat, siç thuhet “në mënyrë të panevojshme ngritën tensione dhe kërcënuan stabilitetin rajonal”....

Në një deklaratë të lëshuar nga zëdhënësja, Heather Nauert, DASH fton Kosovën dhe Serbinë që të fokusohen në dialogun e drejtuar nga Bashkimi Europian.
 
“Shtetet e Bashkuara dënojnë ngjarjet në Mitrovicë, të cilat në mënyrë të panevojshme ngritën tensione dhe kërcënuan stabilitetin rajonal. Ne kërkojmë nga të gjitha palët që ta shmangin eskalimin e situatës dhe në mënyrë të qetë t’i zgjidhin kontestet paqësisht. Për ta krijuar një paqe të qëndrueshme në Ballkan, edhe Kosova edhe Serbia duhet të fokusohen në normalizimin e marrëdhënieve nëpërmjet dialogut të drejtuar nga BE. Shtetet e Bashkuara mbesin të gatshme t’i mbështesin të gjitha palët në dialog”,- tha zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert.
 
Siç dihet, njësitet speciale të Policisë së Kosovës të hënën në mbrëmje arrestuan shefin e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko GJuriq, për hyrje ilegale në territorin e Kosovës. Ai u ekstradua në Serbi disa orë pas arrestimit. Kjo ka ndikuar që Lista Serbe të deklarojë largimin nga Qeveria e Kosovës, si dhe formimin e njëanshëm të Asociacionit të komunave serbe. Por, kryeministri, Ramush Haradinaj, e ka quajtur këtë deklaratë të ngutshme dhe ka apeluar që të mos sfidohen vazhdimisht institucionet e Kosovës. 
 
Për sot, përfaqësuesit e katër komunave veriore me shumicë serbe në Kosovë kanë paralajmëruar një takim të përbashkët për të diskutuar hapat e formimit të Asociacionit.