Maqedoni

Dhuna në Kuvend, Çavkov dhe katër të tjerë rikthehen në Shutkë

28.03.2018 14:21

Pesë të akuzuar për Dhunën e 27 prillit janë rikthyer sërish në burgun hetimor në Shkup, me urdhër të Gjykatës Penale, konfirmuan nga MPB...

Është rikthyer në paraburgim në Shutkë ish – drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov, Goran Goshevski - nga sigurimi i ish-kryeparlamentarit Veljanovski, Dushko Lazarov dhe Oliver Popovski nga MPB-ja dhe Munir Peliq nga Agjencia për kundërzbulim.

Riarrestimi i tyre pason vendimin e djeshëm të Penales, pasi Prokuroria Publike ua dorëzoi aktakuzën kundër 30 personave lidhur me ngjarjet e 27 prillit, në të cilën kërkoi edhe kthimin e masave të paraburgimit dhe arrestit shtëpiak të të akuzuarve.

Gjykata Penale, ndërkohë, refuzoi kërkesën e Prokurorisë Publike për masën e paraburgimit për deputetët, Krste Mukovski dhe Sashoi Vasilevski. Ata do të mbeten në paraburgim shtëpiak.

Për deputetët, Lupço Dimovski, Johan Tarcullovski dhe ndaj dy personave të tjerë janë vazhduar masat e përkujdesit. 

Njëzet e tetë persona janë akuzuar për vepër penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, ndërsa dy për ndihmë gjatë kryerjes së veprës së njëjtë penale.

Gjykata Supreme, të hënë, për një pjesë të të akuzuarve vendosi t’ua heq masën e paraburgimit dhe t’i lërë në arrest shtëpiak.