Maqedoni
Fillon sistematizimi i administratorëve, Lika: mjaft pushuan, është koha t’i rreken punës
28.03.2018 14:43
958 administratorë, nga 1600 të punësuar që nga viti 2008 në Sekretariatin për Implementimin e MO-së...

958 administratorë, nga 1600 të punësuar që nga viti 2008 në Sekretariatin për Implementimin e MO-së, tashmë do të duhet ta meritojnë rrogën që e marrin, duke u paraqitur në vendet e punës.
Në varësi të arsimimit, aftësive, njohurive dhe vendit ku jetojnë, këta 958 administratorë do të fillojnë të shpërndahen në institucionet shtetërore dhe publike, që kanë deficit të punësuarish, potencoi zëvendëskryeministri, Hazbi Lika.
“Në mbledhjen e qeverisë kaloi plani për sistematizimin e 958 administratorëve, një plan i cili ka ngërthyer në vetvete një punë mjaft të madhe që ka pasur sektori për MO-së në bashkëpunim me Ministrinë e Administratës Publike. Të njëjtën gatishmëri pres edhe nga administratorët të cilët ende nuk e kanë marrë vendin e punës. Pres që të reflektojnë dhe të kontribuojnë në arritjen e praktikave të këtij plani”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Hazbi Lika.
Këta administratorë nuk janë përzgjedhur rastësisht për vendet për të cilat duhet të nënshkruajnë kontratë pune.
Atyre më herët u janë ofruar deri në tre opsione, prej të cilave kanë zgjedhur se ku duan të punojnë. Por, në rast se ndonjëri prej tyre ka ndryshuar mendjen gjatë kësaj periudhe dhe e refuzon vendin e punës, i njëjti do të hyjë në listën e pritjes në Ministrinë për Administratë për t’u sistematizuar në ndonjë institucion tjetër. E nëse e refuzojnë edhe këtë shans, atëherë do të pushohen nga puna.
“Administratorët të pranojnë të bëjnë kontratë për arsye se pastaj ka masa tjera të cilat do të ndërmerren për ata, sepse do të hartohet një listë transferi ku do t’i jepet një mundësi e dytë atyre për sistematizim dhe nëse eventualisht edhe këtë nuk e pranojnë, edhe pse deri tani nga kontaktet e realizuara nuk kemi pasur deklarata të tilla, atëherë do të merren masa për të parë se si do të jetë e ardhmja e tyre në punë”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Hazbi Lika.
Me sistematizimin e këtyre administratorëve nuk mbyllet çështja e përfaqësimit të drejtë nëpër institucione. Zëvendëskryeministri Lika tha se do të bëhen analiza të mirëfillta për përqindjen e saktë të të punësuarve shqiptarë nëpër të gjitha institucionet.
Numri i përgjithshëm i administratës shtetërore dhe asaj publike do të dihet të premten, për kur është paralajmëruar edhe një brifing për gazetarë nga ministri për administratë, Mançevski.
REXHEP QAMILI
