Maqedoni
Kotzias: Nuk frikësohemi nga një shtet i vogël pa identitet
28.03.2018 14:52
Emri nuk duhet të ketë elemente irredentiste, duhet të jetë i përbërë, me përcaktim gjeografik...

Emri nuk duhet të ketë elemente irredentiste, duhet të jetë i përbërë, me përcaktim gjeografik, me parashtesë dhe të bëhet e ditur se nuk bëhet fjalë për Maqedoninë greke, deklaroi shefi i Diplomacisë greke, Nikos Kocias. Sipas tij, patriotizmi nuk mohon të drejtën e palës tjetër të jetë krenare për historinë e vet, nënkuptohet nëse është e vërtetë dhe jo e falsifikuar.
Kotzias këmbëngul për një emër “erga omnes”, që të vlejë për të gjithë marrëdhëniet dhe marrëveshjet ndërkombëtare që duhet të nënshkruhet në Kombet e Bashkuara. Kotzias këmbëngul për ndryshime kushtetuese, që, sipas tij, janë të rëndësishme jo vetëm sepse kërkohen nga pala greke si garanci për Athinën, por edhe si garanci të brendshme e për ndonjë qeveri të ardhshme, sepse ndonjë “ Gruevski 2 i ardhshëm” mund të dalë me akuza. Ai foli për kompromis dhe tha se Greqia nuk ka pse të ketë frikë në këtë rast.
“Ne nuk kemi pse të frikësohemi, Greqia e fuqishme, Greqia me aq shumë histori, Greqia e Aleksandrit të Madh, filozofisë së Aristotelit nuk duhet të frikësohet që të bëjë kompromis me një shtet të vogël, i cili ende nuk e ka gjetur identitetit e vet. Njerëzit e vendit fqinj pranojnë se Maqedonia dhe gjuha maqedonase nuk kanë të bëjnë me Aleksandrin e Madh”,- tha Kotzias, duke përkujtuar madje se Maqedonia si rajon më i gjerë gjeografik, iu përket katër shteteve dhe jo vetëm Greqisë.
“Miqtë e mi në Shkup janë apo tentojnë të jenë shteti më i ri europian, kombi më i ri europian, nëse e largojmë Kosovën si shembull. Tentojnë të gjejnë identitet historik, që sipas nesh është i gabuar. Në vend që të kufizohen në faktin se janë popull i përbërë nga etnitete të ndryshme, prej të cilëve shumicë janë sllovenët, bashkësia më e madhe e dytë janë shqiptarët, vllehët etj., ata tentonin që të lidhin ekzistencën e tyre me historinë nacionale, që nuk e posedonin dhe me përmendjen e maqedonizmit në historinë dhe identitetin. Dhe këtu lindi irredentizmi. Problemin me emrin e koncentruan në irredentizmin në histori, arsim, simbole, e koncentruan në vetëdijen e tyre”,- tha Kocias, për të cilin gjithsesi riemërimet e rrugës dhe aeroportit janë si hap i madh pozitiv në këtë drejtim.
FLUTURA LATIFI
