Botë
Mitrovica e Veriut, serbët: urgjent Asociacionin, ose e bëjmë vetë
28.03.2018 15:17
Përfaqësuesit e komunave veriore me shumicë serbe në Kosovë janë tubuar në hapësirat e Gjykatës në Mitrovicën e Veriut për të diskutuar mbi themelimin e Asociacionit të komunave serbe...

Duke prezantuar stemën e Asociacionit, ata kërcënuan se nëse deri më 20 prill institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare nuk e formojnë asociacionin, atë do ta bëjnë serbët në mënyrë të njëanshme.
Ivan Todosijeviq, ministër i Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, dhe deputeti, Igor Simiq, kanë kritikuar autoritetet në Prishtinë dhe BE-në për mosformimin e deritanishëm të Asociacionit.
“Prishtina dhe Perëndimi nuk janë të gatshëm të formojnë asociacionin. Asociacioni përdoret për nënçmimin e Serbisë dhe Beogradit. Ne sot porositim që të dëgjojnë të gjithë, nuk kam frikë që flas sot. Nëse Prishtina dhe Perëndimi nuk dëshirojnë të formojnë asociacionin, ne kemi të drejtë të formojmë bashkësinë e komunave me shumicë serbe”,- deklaroi ministri i Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq.
“Bashkësia e komunave serbe është paraparë sipas marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ju do të sillni vendimin nëse Prishtina nuk e bën këtë deri më 20 prill, dhe nuk do të shkelni asnjë rregull, por nga ana tjetër do të bartni porosinë se respektoni marrëveshjen e Beogradit dhe Prishtinës, por edhe atyre që nuk janë sot, e ata janë BE-ja”,- tha deputeti nga Lista Serbe, Igor Simiq.
Kryeministri, Ramush Haradinaj, dhe përfaqësuesit tjerë të institucioneve të Kosovës, e kanë quajtur të ngutshme deklaratën për formimin e njëanshëm të Asociacionit dhe kanë apeluar që të mos sfidohen vazhdimisht institucionet e Kosovës.
Edhe ShBA-ja dhe BE-ja kanë reaguar për zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës, duke kërkuar që Kosova dhe Serbia të fokusohen në dialogun e drejtuar nga Bashkimi Europian.
Pavarësisht se ishin të ftuar në takim, zyrtarët e Bashkimi Europian nuk ishin të pranishëm. Të vetmit ndërkombëtarë të pranishëm ishin përfaqësues nga UNMIK-u dhe nga OSBE-ja.
GYLTENE SINANI
